Teksa e gjithë bota e sportit dhe jo vetëm vajton largimin nga jeta të ikonës së futbollit, Diego Armando Maradonas, edhe bota e modës ka dashur t’i bëjë homazhin e saj këtij sportisti të kalibrit botëror duke e kujtuar atë veç të tjerash edhe si një ikonë stili dhe trendesh.
Maradona ka qenë në vitet tetëdhjeta ambasador për shumë brende dhe marka luksoze.
Nga veshjet sportive, te kostumet që ka përdorur në daljet publike dhe takimet zyrtare, pasioni për orët e firmave më të njohura, të cilat shpesh i mbante në të dyja duart, te bizhuteritë e kushtueshme, duke kaluar te syzet e diellit me lente me ngjyra dhe me kapak, të gjitha këto u bënë pjesë e identitetit të tij.
Nuk mund të mos përmendim këtu as koleksionet e peliçeve apo makinat e luksit, transmeton Top Channel.
Për Maradonan mund të thuhet se gjithmonë ka ditur të interpretojë si në pamje ashtu dhe në stil, me veshjet ekstravagante dhe me fantazi, duke u kthyer në ikonë stili të atyre viteve të paharruara.