Site icon Telegrafi

Nga misionet e shpëtimit te gjetja e vendeve të reja të punës, industria e teknologjisë po ndihmon viktimat e agresionit rus në Ukrainë

Nga misionet e shpëtimit që ndihmojnë ukrainasit për t’iu shmangur qyteteve të shkatërruara nga agresioni rus deri tek ofrimi i shërbimeve të përkthimit sapo të kalojnë kufijtë duke i ndihmuar të fillojnë jetë të re dhe të gjejnë punë në Evropë, industria e teknologjisë po shndërrohet në shpresë për qytetarët e Ukrainës.

Kompania ukrainase e softuerit N-iX kishte bërë tashmë plane emergjente për të evakuuar 300 pjesëtarë të stafit në Kiev dhe 150 të tjerë në Ukrainën lindore përpara agresionit të fundit rus që filloi më 24 shkurt.

Si e tillë, ajo largoi një pjesë të madhe të stafit me ndihmën e autobusëve duke i dërguar ata drejt Lvivit, afër kufirit me Poloninë.

Stafi i N-iX dolën vullnetarë për të vozitur autobusët plot me njerëz të qyteteve të goditura rëndë, Kiev dhe Kharkiv drejt vendeve më të sigurta në perëndim të Ukrainës, transmeton Telegrafi.

“Unë jam vërtet i impresionuar me këta heronj që po ngisnin autobusë nëpër ato zona konflikti”, tha shefi operativ i N-iX, Pavlo Deshchynskyy për Euronews Next.

Autobusi bartti rreth 30 persona dhe u shfrytëzuan për stafin e N-iX dhe të afërmit e tyre.

Kompania gjithashtu ndau këtë burim me 80 kompani të tjera në Ukrainë për të ndihmuar në transportin e punonjësve të tyre, ndërsa automjetet u përdorën gjithashtu për të transportuar gra dhe fëmijë drejt Polonisë.

Jo i gjithë stafi i kompanisë u evakuua; rreth 20 nga specialistët e saj të IT-së kanë lënë përkohësisht punën e tyre dhe u janë bashkuar ushtrinsë ukrainase.

Kompania ka bërë gjithashtu donacione për ushtrinë e Ukrainës, të tilla si forca të blinduara dhe vetura, dhe po ndihmon në financimin e agjencive të ndryshme të ndihmës që veprojnë në Ukrainë.

“Askush nuk beson se mund të ndodhë. Por ne po ndiqnim lajmet dhe fjalimin e Joe Bidenit dhe po përgatiteshim vetëm për të qenë në anën e sigurt”, tha Deshchynskyy nga një dhomë në zyrën e N-iX në Lviv, e cila u shndërrua në një dhomë gjumi të përkohshme të improvizuar për stafin.

“Unë thjesht po përpiqem të mbaj një ndjenjë normaliteti duke qenë në zyrë”, tha ai.

Deshchynskyy, si shumë nga kompania me qendër në Lviv, ka hequr dorë nga shtëpia për të akomoduar stafin e Kievit dhe është transferuar me të afërm të tjerë.

Një pjesë e planeve të emergjencës përfshinte gjithashtu gjetjen e apartamenteve dhe hoteleve për të akomoduar stafin e reduktuar.

Kompania gjithashtu e ktheu parkingun nëntokësor në Lviv në një strehë, e cila është shfrytëzohet kur bien sirenat.

N-iX ofron shërbime të zhvillimit të softuerit që nga viti 2002 dhe gjithashtu ka zyra në Poloni, Suedi, Bullgari dhe Shtetet e Bashkuara.

Agresioni rus vlerësohet të ketë shkatërruar rreth 91 miliardë euro në rrugë, ura dhe biznese në Ukrainë.

Rreth 50 për qind e bizneseve të vendit nuk funksionojnë dhe ato që janë, nuk po punojnë me kapacitete të plota, tha të enjten Oleg Ustenko, këshilltari kryesor ekonomik i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

Deshchynskyy tha se N-iX po operon me rreth 90 për qind kapacitet pasi luftimet në Ukrainë vënë në qendër të vëmendjes sektorin e saj të lulëzuar të IT, i cili kontribuoi pothuajse 5 për qind në GJDP-në e Ukrainës.

“Kompania jonë është duke operuar dhe besoj se kjo është një nga mënyrat që t’i ndihmojë njerëzit duke bërë diçka domethënëse për ata”, tha ai.

Çeliku dhe prodhimi janë dy industritë e tjera kryesore që kontribuojnë në GJDP-në e Ukrainës.

“Ne (industria e IT-së) zotërojmë këtë vend të tretë në botë dhe ne ende mund ta gjenerojmë këtë GJDP… Ne ende mund t’i mbajmë njerëzit të zënë dhe të paguajmë paga që ata mund të mbështesin jo vetëm familjet e tyre, por gjithashtu mund të dhurojnë për njerëzit nevojtarë”, tha Deshchynskyy.

Mbështetje nga sektori i teknologjisë evropiane

Mbajtja e njerëzve në punë është një mënyrë tjetër në të cilën kompanitë e teknologjisë po ndihmojnë viktimat e agresionit rus.

Në Gjermani, dy sipërmarrës ukrainas me bazë në Berlin kanë nisur një platformë pune për ata të zhvendosur nga dhe brenda Ukrainës.

UA Talents lejon kompanitë nga e gjithë Evropa të reklamojnë vendet e tyre të punës për njerëzit nga Ukraina që kanë humbur punësimin e tyre për shkak të luftës.

Ajo tashmë ka mbështetjen e komunitetit të teknologjisë, duke përfshirë Meta, Bolt dhe StepStone, dhe ka rreth 5000 vende pune të shpallura.

“Ne të gjithë kemi familje në Ukrainë dhe jemi të shkatërruar nga ajo që po ndodh në vendin tonë të bukur tani”, tha bashkëthemeluesi i UA Talent, Ivan Kychatyi për Euronews Next.

Reagimi ndaj platformës që nga lansimi i saj më 7 mars ka qenë “dërrmues”, tha ai, transmeton Telegrafi.

Për momentin, lajmërimet për punësim janë të gjitha të lidhura me teknologjinë, por UA Talents së shpejti do të përfshijë industri të tjera.

“Industria e teknologjisë është një pjesë e madhe e ekonomisë ukrainase, me një nivel të lartë njohurish dhe përvojë të njerëzve të punësuar në këtë sektor”, tha Kychatyi.

“Ukrainasit janë njerëz të pasionuar dhe punëtorë. Ne duam të tregojmë se sa të talentuar dhe të vendosur janë punëtorët e UA. Ata do të kontribuojnë me pasionin e tyre në sfidat e biznesit tuaj në sektorin e teknologjisë dhe më gjerë”, shtoi ai.

Përveç hapjes së vendeve të reja të punës, faqja e internetit gjithashtu lejon që punëdhënësit të jenë në gjendje të ofrojnë mbështetje financiare shtesë për të ndihmuar iniciativën e tyre jofitimprurëse, e cila jep të ardhura për projektet ukrainase.

Teknologjia e përkthimit

Teknologjia po ndihmon gjithashtu ata që kanë ikur nga Ukraina dhe e gjejnë veten në vende ku nuk flasin gjuhën vendase.

Translit, një kompani shërbimesh përkthimi me bazë në Irlandë, ka ndërtuar teknologjinë që kryen përkthime të shpejta të dokumenteve ose audios, por ajo është ende e krijuar nga njeriu për saktësi më të mirë.

“Ne donim të ndihmonim individët që po ikin në vende dhe ata po luftojnë me shërbimet gjuhësore dhe nuk ka njeri që t’i ndihmojë”, tha për Euronews Next CEO i kompanisë Alex Chernenko, i cili është nga Ukraina.

“Ata mund të vijnë tek ne dhe ne do të bëjmë më të mirën për t’i mbështetur. Dhe padyshim, ne po ofrojmë atë që po bëjmë në të vërtetë, që është përkthimi, përkthimi, dokumentet personale, të dhënat mjekësore etj”, shtoi ai.

Ukrainasi tha se kompania kohët e fundit ndihmoi një grua që t’i nënshtrohet një operacioni urgjent në zemër, e cila kishte udhëtuar nga Ukraina në Irlandë dhe kështu kishte nevojë që të dhënat e saj mjekësore të përktheheshin shpejt.

Chernenko tha se kompania po ofron shërbimet e saj për agjencitë e ndihmës si dhe individët.

“Teknologjia supozohet se po ua lehtëson jetën njerëzve”, tha ai.

“Nëse dikush është i vendosur në një vendndodhje të largët dhe ata nuk e kuptojnë se çfarë po ndodh, ata thjesht mund të marrin telefonin ose tabletin e internetit dhe mund të përdorin një telefon të bazuar në internet dhe në thelb të kenë interpretimin në atë linjë dhe t’i ndihmojnë ata të komunikojnë”, përfundoi Chernenko. /Telegrafi/

Exit mobile version