Telegrafi

Nga Majlinda Kelmendi te Distria Krasniqi dhe Luiza Gega, kush janë shtatë sportistët elitar që morën gradën ushtarake kolonel?

Sot (e enjte) është zhvilluar ceremonia e dhënies së gradave ushtarake kolonel për shtatë sportistët elitar të Shqipërisë dhe Kosovës, ku të graduar ishin emra të njohur si Majlinda Kelmendi, Luiza Gega dhe Erkand Qerimaj.

Në ceremoninë e mbajtur në orët e mëngjesit të pranishëm kanë qenë Kryeministri Edi Rama, Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi dhe drejtues të lartë të ushtrisë.

Në fjalën e tij në ceremoninë e gradimit ushtarak të kampionëve olimpikë, botërorë e evropianë, të cilët prej sot do të jenë pjesë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, kryeministri Edi Rama u shpreh se pagat e ushtarëve do të jenë të njëjta me pagën mesatare të ushtarëve të NATO-së.

Pjesë e sportistëve të graduar kolonel që janë pjesë e Ushtrisë Shqiptare ishin edhe ish-sportistë dhe sportistë nga Kosova, ndër to ish-kampionia olimpike, tani trajnere e xhudos, Majlinda Kelmendi, si dhe dy xhudistet tjera, kampione olimpike, botërore dhe evropiane: Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi.

Në ceremoninë e posaçme të gradimit, parakaluan në tapetin e kuq edhe atletja Luiza Gega, e cila fitoi vendin e parë në kampionatin e Atletikës në Mynih të Gjermanisë më 2022 dhe Briken Calja, i cili mori vendin e parë në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes në Uzbekistan në vitin 2021.

Përveç tyre, me gradën kolonel u nderuan edhe Erkand Qerimaj, i cili mori vendin e parë në Kampionatin Evropian të Peshëngritjes në Tiranë në vitin 2022 dhe Alban Beqiri, i cili zuri vendin e parë në Kampionatin Ballkanik të Boksit në Beograd, në nëntor të vitit 2022. /Telegrafi/