Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja është arrestuar pas urdhrit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe vendimit të GJKKO-së që ka caktuar masën e arrestit me burg ndaj tij.
Çyrbja është vendosur në pranga vetëm pak ditë pasi u paraqit në SPAK, teksa kishte lënë më parë mandatin e deputetit. Më pas ai deklaroi për mediat se lënia e mandatit nuk kishte lidhje me thirrjen e tij në SPAK, ku u mor i pandehur për “shpërdorim detyre”.
Sipas informacioneve paraprake, SPAK bën të ditur se është ekzekutuar masa e sigurimit arrest me burg të caktuar nga Gjykata e Posaçme, pasi Çyrbja dyshohet për “korrupsion aktiv në zgjedhje”, “përkrahje e autorit të krimit” dhe “tregtim të sekretit shtetëror…”
“Nisur nga interesi i madh i mediave ju komunikojmë se Policia e Shtetit ka ekzekutuar sot masën e sigurimit arrest në burg të caktuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuat ndaj shtetasit Jurgis Cyrbja, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal; “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302/1/2 të Kodit Penal si dhe “Tregtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit” parashikuar nga neni 295/1 i Kodit Penal”, thuhet në njoftimin paraprak të SPAK.
Gjithashtu, ish-deputeti akuzohet për shpërdorim detyre në kohën kur ishte drejtues i Hipotekës së Durrësit. Pas dorëheqjes së tij, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i dha mandatin e deputetit Erjon Mekajt./RTSH