Xhiro e dytë në Albi Mall Superligë mund të quhet e përfunduar, edhe pse një ndeshje ka për tu luajtur më vonë me datën që ende nuk është caktuar.
Dueli mes Prishtinës dhe Dritës është shtyrë për më vonë shkaku i angazhimeve në Evropë të skuadrës gjilanase.
Gjithsesi Telegrafi ka zgjedhur 11-shen më të mirë të javës nga katër ndeshjet e zhvilluara në ditët që lamë pas.
Portieri:
Kenan Haxhihamza është portieri më i mirë i xhiros së dytë në Albi Mall Superligë. Portieri rahovecian ishte fantastik në sfidën Gjilani – Ballkani, duke i siguruar vendasve një pikë me pritet fantastike që bëri në këtë duel përballë kampionit në fuqi të Kosovës.
Mbrojtësit:
Kësaj radhe formacioni vije me tre mbrojtës, duke marrë parasysh se shumë futbollistë nga mesfusha dhe sulmi treguan paraqitje spektakolare.
Ilir Krasniqi ishte lider i Llapit në sfidën ndaj Feronikelit ’74 dhe një mur i pakalueshëm nga sulmuesit vendas. Në qendër të mbrojtjes është edhe Hysen Memolla që edhe në ndeshjen e dytë me Suharekën tregoi siguri dhe lidership në fitoren 3-1 ndaj Dukagjinit.
Një tjetër mbrojtës që shkëlqeu këtë javë ishte Qlirim Avdulli i Ferizajit. Anësori i majtë u përkujdes ta ndaloj sulmuesin më të rrezikshëm në ligë si Drilon Hazrollajn në barazimin e Ferizajt 1-1 në udhëtim te Malisheva.
Mesfushorët:
Në mesfushë janë vendosur pesë futbollistë ku secili ishte më i mirë se tjetri dhe që të pestit ishin golashënues për skuadrat e tyre.
Si anësorë i djathtë është Elvir Gashijan që ishte i pandalshëm duke shënuar edhe një gol në fitoren e Llapit 0-2 në udhëtim te Feronikeli ’74.
Queven Da Silva vazhdon të shënoj dhe këtë e bëri për Ballkanin edhe në përballje me Gjilanin në barazimin 1-1. Fantastik në këtë duel ishte edhe Robert Rrahmani i vendasve që realizoi edhe një gol spektakolar.
Paraqitje të mrekullueshme pati edhe Jakup Berisha me Suharekën, në fitoren e parë të kësaj skuadre në Superligë 3-1 ndaj Dukagjinit. Berisha ishte i pandalshëm për mysafirët duke realizuar edhe një gol.
Në krahun e majtë vjen talenti i madh ferizajas Redon Syla. 21-vjeçari u inkuadrua nga banka në lojë dhe ishte shpëtimtar i Ferizajt duke shënuar një gol të jashtëzakonshëm nga distanca. Inkuadrimi i Sylës i dha impakt ‘Ujqve’ që krijuan shumë raste shënimi edhe në Liman Gegaj.
Sulmuesit:
Mevlan Zeka ishte padyshim lojtari i xhiros së dytë në Albi Mall Superligë. Sulmuesi gjakovar ishte i pandalshëm për mbrojtjen e Dukagjinit duke shënuar dy gola për t’i dhënë tre pikë skuadrës së tij.
Përkrah Zekës ishte një sulmues shumë i talentuar si Fatjon Bunjaku. 20-vjeçari realizoi një gol të bukur për Malishevën duke i siguruar një pikë në përballje me Ferizajn.
Trajneri i javës:
Shpëtim Duro do të mbetet në histori të FC Suharekës. Trajneri shqiptar e udhëhoqi skuadrën drejt fitores së parë në histori në Superligë pasi mposhti Dukagjinin me rezultat 3-1.
Duro kishte përgatitur mjaftë mirë skuadrën e tij, ku ata përveç tre golave krijuan edhe shumë raste të tjera shënimi. /Telegrafi/