Ndryshimet e shumta të trajnerëve në kampionatin anglez kanë bërë që disa futbollistë të konsiderohen të parëndësishëm në skuadrat e tyre.
Kjo është një mundësi e artë për ekipet e tjera që kërkojnë të përforcohen në këtë fund të afatit kalimtar.
Nëse hedhin një vështrim në situatën e krijuar në klubin e Manchester Cityt, do të kuptojnë se është një rast unik për të afruar disa lojtarë të rëndësishëm.
Revolucion te City
Pep Guardiola tha se nuk do të bëjë shumë ndryshime në ekipin e tij të ri, por operacioni “fshesa” ka nisur shumë shpejt. I pari që do të largohet është portieri Joe Hart, i cili i ka kërkuar divorcin presidentit të skuadrës.
Mirëpo nga City nuk do të largohet vetëm portieri sepse në listën “e zezë” të trajnerit spanjoll janë edhe disa lojtarë të tjerë.
Në mbrojtje është Eliaquim Mangala, i cili duket se nuk do të vazhdojë të qëndrojë më te “qytetarët”, ndërsa në repartet e tjera Yaya Toure dhe Samir Nasri mund t’i thonë lamtumirë skuadrës gjatë këtyre ditëve.
Katër futbollistët e Cityt do të ishin blerje shumë interesante për skuadrat e dorës së dytë, por edhe për ekipet italiane që nuk kanë buxhete të mëdha për të blerë lojtarë.
Nëse Mancini do të vazhdonte të ishte trajner i Interit, nuk do ta humbiste shansin për ta transferuar në radhët e zikaltërve.
Bastian në udhëkryq
Me Fellainin në superformë, me blerjen e Pogbas dhe me Carrick në stolin e rezervave, edhe Jose Mourinho e ka luksin për të larguar nga ekipi i tij një prej futbollistëve më të mëdhenj gjermanë.
Bastian Schweinsteiger nuk është më në planet e portugezit dhe pas tij janë vënë disa skuadra si Interi, Milani dhe Juventusi.
Për momentin, ende nuk dihet cila do të jetë e ardhmja e mesfushorit gjerman, i cili gjatë dy ndeshjeve të para nuk ka qenë i grumbulluar, por e ka parë ndeshjen si tifoz i “djajve”.
Surpriza Fabregas
Cesc Fabregas është surpriza më e madhe në listën e lojtarëve që mund të largohen në këto ditë të fundit.
Spanjolli ka qëndruar në stolin e rezervave në dy ndeshjet e para dhe Conte mund ta sakrifikojë për të afruar në ekip një tjetër mesfushor.
Real Madridi ka shprehur dëshirën për ta afruar spanjollin, por ende nuk dihet nëse trajneri i Chelseat është 100% i bindur për ta larguar futbollistin.
Edhe Klopp largon lojtar
Nuk mund të mungonte në këtë listë trajneri Jurgen Klopp, i cili do të largojë mbrojtësin Sakho. Ky i fundit nuk ka pasur marrëdhënie të mira me teknikun dhe duket se zgjidhja më e mirë për të dyja palët është divorci.
Drejtorët sportivë të skuadrave duhet të hedhin sytë nga Anglia sepse është rasti për të bërë blerje interesante dhe mbi të gjitha me çmim të ulët.