Telegrafi

Nga frika se do ta pësojnë, rusët ndërtojnë mure betoni rreth tri qyteteve – “dhëmbët e dragoit” që do të “parandalojnë” depërtimin e ukrainasve

Në raportin e fundit të inteligjencës ushtarake për situatën në fushëbetejë në Ukrainë, ministria britanike e Mbrojtjes, theksoi se Rusia ka nisur ndërtimin e strukturave piramidale, të ashtuquajturat “dhëmbët e dragoit” rreth Mariupolit të pushtuar.

Sipas britanikëve, përveç Mariupolit, dhëmbët e dragoit po ndërtohen edhe në Zaporzhzhia dhe Kherson, për të parandaluar një depërtim të mundshëm të ukrainasve, transmeton Telegrafi.

“Ata kanë dy fabrika për prodhimin e strukturave piramidale të betonit, që janë ideuar kundër mjeteve të blinduara, të njohura si dhëmbët e dragoit. Dhëmbët e dragoit ndoshta janë vendosur midis Mariupolit dhe fshatit Nikolska dhe nga veriu i Mariupolit deri në fshatin Stari Krim”, theksohet në raportin e ministrisë britanike të Mbrojtjes.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, termi “dhëmbët e dragoit” i referohej strukturave të rregullta piramidale të përdorura për të bllokuar ushtritë që përparonin.

Inteligjenca britanike thotë se Mariupoli është pjesë e urës tokësore ruse nga Rusia në Krime, një linjë kyçe logjistike komunikimi.

Kjo është një dëshmi tjetër se ukrainasit po avancojnë, dhe se rusët nga frika se do të pësojnë debakël më të madh po ndërtojnë struktura të tilla. /Telegrafi/