Telegrafi

Nga FBK thonë se nuk ka asgjë të konfirmuar lidhur me praninë e tifozëve në ‘Final 8’ të Kupës së Kosovës

(Foto: basketbolli.com)

Gjatë ditës së sotme (e diel), klubi i basketbollit Golden Eagle Yllit përmes një njoftimi në faqen zyrtare bëri të ditur se në ndeshjet e Final 8 të Kupës së Kosovës do të jenë të pranishëm deri në 200 shikues dhe se kjo është arritur në bashkëpunim me Federatën e Basketbollit të Kosovës.

Por, kjo është mohuar nga FBK-ja duke thënë se nuk ka ndonjë zhvillim të ri në këtë drejtim, pasi rekomandimet e institucioneve shëndetësore nuk e lejojnë një gjë të tillë.

Në një prononcim për KosovaPress, Sekretarja e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushku tha se deri më tani nuk kemi marrë përgjigje pozitive rreth kësaj çështje.

Lexo po ashtu Rikthehen tifozët në palestra, ‘Final 8’ do të luhet me dyer të hapura

“E kam parë njoftimin e klubit nga Suhareka, por nuk e di se ku janë bazuar. Në kërkesën tonë drejtuar Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, ata na kanë bërë me dije duhet t’iu referohemi rekomandimeve qe janë në fuqi për momentin dhe ato nuk na e mundësojnë që të pranojmë tifozë brenda sallave.

“Prandaj nuk ka asgjë të konfirmuar deri më tani sa i përket kësaj çështje”, ka deklaruar Dushku.