Erërat e forta si pasojë e ndryshimeve atmosferike kanë rrëzuar një lis, i cili ka rënë mbi një veturë të parkuar sot rreth orës 14:00 në afërsi të Spitalit Rajonal të Ferizajt.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar nënkoloneli Basri Shabani nga Policia e Kosovës për rajonin e Ferizajt.
Sipas tij, nuk ka persona të lënduar vetëm dëme materiale të një veture.
“Në afërsi të spitalit të Ferizajt është rrëzuar një lis, i cili ka rënë mbi një veturë. Pos dëmit material të veturës, nuk ka persona të lënduar”, ka thënë Shabani.
Ndryshe, Instituti Hidrometereologjik i Kosovës, ka paralajmëruar se vendi gjatë kësaj jave do të jetë nën ndikimin e masave nga fushat e fuqishme ciklonike.
Në këto kushte do të mbaj mot jo stabil, me diell dhe vranësira të cilat pritet të shoqërohen me shkarkime rrufesh, reshje shiu e në disa zona ekziston rreziku edhe për stuhi dhe breshër. /Telegrafi/