Të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi së bashku me ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetin e LVV-së, Rexhep Selimi, sot më 3 prill do të dalin para trupit gjykues të Gjykatës Speciale në Hagë.
Në njoftim thuhet se, është planifikuar që deklaratat hyrëse të mbahen më 3, 4 dhe 5 prill, duke filluar prej orës 9:00 të mëngjesit. Seancat gjyqësore mund të përcillen në tri gjuhët e gjykatës, shqipe, serbishte dhe anglishte përmes funksionit të transmetimit në faqen e DHSK-së në internet, me një vonesë 45-minutëshe.
Ish-krerët e UÇK-së akuzohen për krime të luftës: arrestim dhe ndalim i paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.
Ndërkaq, krimet kundër njerëzimit që ata akuzohen se kanë kryer janë: përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.
Krimet dyshohet se janë kryer nga marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999, në disa lokacione të Kosovës, por edhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë. Ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi ta.
Prokuroria e ZPS-së ka bërë të ditur se në procesin e gjykimit do të përmenden mbi 40 vende ku pretendohet se janë kryer krimet. Gjithashtu Prokuroria ka njoftuar se i duhen rreth 600 orë për paraqitjen e të gjitha provave, që i bie deri nga fundi i vitit 2024 apo fillimi i vitit 2025.
Mbrojtja, në anën tjetër, ka kërkuar që procesi të mos zgjasë pafund dhe i ka kërkuar gjykatës që të shkurtojë kohën e paraqitjes së provave nga Prokuroria.
Hashim Thaçi dha dorëheqje nga posti i presidentit të Kosovës më 5 nëntor 2020, pas konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale.
“Ashtu, siç kam premtuar, nuk do të lejoj në asnjë rrethanë që para gjyqit të dalë presidenti i Republikës së Kosovës”, kishte deklaruar atë kohë Thaçi për gazetarët gjatë një konference për media të mbajtur në oborrin e Presidencës së Kosovës.
Thaçi po at ditë u nis drejt Hagës, ku vazhdon të qëndrojë në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Më 9 nëntor, në paraqitjen e parë para Gjykatës Speciale, Thaçi u deklarua i pafajshëm për të gjitha akuzat që rëndojnë ndaj tij.
“Deklarohem i pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës”, tha Thaçi.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sipas dokumenteve të Gjykatës Speciale, thuhet se në kohën e luftës ka qenë shef i drejtorive politike dhe informimit të UÇK-së, kryekomandant i UÇK-së dhe kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës.
Kadri Veseli – Sikurse ish-presidentit Hashim Thaçi edhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, më 5 nëntor 2020 iu konfirmua aktakuza nga Gjykata Speciale.
Në një konferencë për media, Veseli kishte bërë të ditur se ka bërë të gjitha aranzhimet e nevojshme që vullnetarisht të udhëtonte drejt Hagës.
Më 10 nëntor të vitit 2020, në paraqitjen e parë para Speciales, Veseli u deklarua i pafajshëm për të gjitha akuzat.
“I dëgjova dhe i kam lexuar të gjitha pikat e aktakuzës. Më lejoni të deklarohem me bindje të plotë, se jam tërësisht i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës”, deklaroi Veseli.
Sipas dokumenteve të Gjykatës Speciale, Veseli thuhet se ka qenë anëtar i drejtorisë politike të UÇK-së dhe shef i shërbimit të zbulimit të UÇK-së. Po ashtu thuhet se Veseli ka qenë ministër i Shërbimit Informativ në Qeverinë e Përkohshme dhe shef i Shërbimit Informativ të Kosovës.
Jakup Krasniqi gjendet në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga 4 nëntori i vitit 2020.
Ai u paraqit para Dhomave të Specializuara më 9 nëntor, dhe për dallim nga Thaçi dhe Veseli, përveç se u deklarua i pafajshëm për aktakuzën, ai mbajti edhe një fjalim.
“Unë nuk ndihem fajtor e as përgjegjës për asnjë pikë që thuhet në aktakuzë dhe për asnjë gjë tjetër që thuhet në aktakuzë”, deklaroi ai.
Krasniqi, që ka qenë kryetar i Kuvendit të Kosovës, në kohën e luftës ka qenë zëdhënës i UÇK-së dhe i Qeverisë së Përkohshme, anëtar i drejtorisë politike dhe zëvendëskomandant i UÇK-së, sipas Speciales.
Rexhep Selimi – më 4 nëntor 2020 njoftoi se kishte marrë konfirmin për aktakuzë dhe se ishte nisur drejt Hagës.
Aktakuzën ndaj tij Selimi e ka cilësuar “ të padrejtë” dhe është deklaruar i pafajshëm për të gjitha pikat.
“Unë po shkoj me kokën lart dhe kurdo që kthehem, do kthehem po ashtu me kokën lart, sepse isha, jam dhe do të jem ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të cilën jam i gatshëm të jap gjithçka nga vetja ime”, kishte shkruar ai po atë ditë në llogarinë e tij në Facebook.
Në kohën kur u arrestua, Selimi ishte shef i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje – partisë që aktualisht është në pushtet – subjekt që ka kundërshtuar themelimin e Gjykatës Speciale.
Çfarë thuhet në aktakuzë?
Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020, dhe u ndryshua më 3 shtator 2021, 29 prill 2022, dhe 30 shtator 2022. Versioni me më pak redaktime i Aktakuzës u dorëzua më 27 shkurt 2023. Kjo është aktualisht aktakuza në fuqi në këtë çështje gjyqësore.
Në Aktakuzë parashtrohet se krimet për të cilat janë ngritur akuzat u kryen së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 dhe ndodhën në disa vende në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë e Veriut. Pretendohet se krimet u kryen nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. (UÇK) kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.
Përveç, ish-krerëve të UÇK-së, në aktakuzë përmenden edhe persona të tjerë, që pretendohet se kanë qenë pjesë e “ndërmarrjes së përbashkët kriminale” sikurse “Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe udhëheqës të tjerë politikë dhe ushtarakë të UÇK-së”.
Në aktakuzë thuhet se në mesin e viktimave kishte persona që dyshoheshin se ishin kundërshtarë të UÇK-së dhe më vonë edhe të Qeverisë së Përkohshme, “konkretisht serbë, romë dhe ashkalinj; katolikë; civilë për të cilët pretendohej se bashkëpunonin me autoritetet serbe ose që pretendohej se kontaktonin me serbë; shqiptarë që ishin anëtarë ose përkrahës të Lidhjes Demokratike të Kosovës ose të partive të tjera që konsideroheshin se ishin kundër UÇK-së; shqiptarë që nuk iu bashkuan ose nuk përkrahnin UÇK-në; dhe individë të punësuar ose të punësuar të mëparshëm që konsideroheshin kundër UÇK-së”
Në aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale individuale në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për krime të kryera në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë të cilat ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin si kundërshtarë të UÇK-së.
Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Këto krime fillimisht ishin përmendur në një raport të Këshillit të Evropës, që ishte hartuar nga senatori i atëhershëm zviceran, Dick Marty. Raporti i hapi rrugën themelimit të Speciales përmes votimit në Kuvendin e Kosovës më 2015./Telegrafi/