Përfaqësuesja e Kosovës do të luaj vetëm një ndeshje miqësore në muajin qershor, ku më datën 5 do të takohet në Oslo me Përfaqësuesen e Norvegjisë.
Përzgjedhësi i Dardanëve, Franco Foda ka publikuar listën me 23 futbollistë të grumbulluar për këtë duel miqësorë.
Nuk mungojnë as kësaj radhe futbollistët nga elita e futbollit kosovar Albi Mall Superliga, pasi Foda ka ftuar pesë prej tyre.
Ballkani dhe Llapi kanë nga dy futbollistë të ftuar, derisa një tjetër është ftuar nga Malisheva.
Në mbrojtje janë ftuar tanimë dy të rregullit, Lumbardh Dellova dhe Ilir Krasniqi.
Dyshja kanë qenë fantastik këtë edicion me skuadrat e tyre Ballkanin dhe Llapin, derisa kanë zënë vend edhe në formacionin e sezonit nga redaksia e sportit në Telegrafi.
Dellova dhe Krasniqi janë grumbulluar në qendër të mbrojtjes së bashku me Amir Rrahmanin dhe Fidan Alitin që janë në qendër të mbrojtjes.
I vetmi mesfushor që është ftuar nga Superliga është talenti i Ballkanit, Lindon Emërllahu. Përkundër se ai qëndroi një kohë të gjatë jashtë fushave, përzgjedhësi Franco Foda e ka përfshirë në listë për ndeshjen me Norvegjinë.
Gjithsesi gjatë këtij sezoni në elitën e futbollit kosovar në top formë ishin edhe dy mesfushorët si Drilon Islami (Prishtina) dhe Etnik Brruti (Malisheva), por dyshja në fjalë ende nuk ka marrë ftesë nga Foda.
E në repartin ofensivë janë ftuar dy top shënuesit më të mirë të sezonit 2023/24 në Albi Mall Superligë, Muhamet Hyseni dhe Drilon Hazrollaj.
Të dy sulmuesit kanë shfaqur formë të mrekullueshme këtë edicion, me Hysenin që ka realizuar 26 gola dhe Hazrollajn një më pak.
Pas një sezoni tejet pozitivë si në aspektin personal ashtu edhe ekipor, këta pesë futbollistë mund të largohen gjatë verës nga skuadrat e tyre për të bërë një hap para në karrierë dhe të luajnë në ligat evropiane. /Telegrafi/