Bashkimi Evropian mund të vendosë sanksione ndaj gazetarit amerikan Tucker Carlson për një intervistë me presidentin rus Vladimir Putin, shkruan Newsweek, duke iu referuar deklaratave të deputetëve aktualë dhe të dikurshëm të Parlamentit Evropian.
Ish-kryeministri belg dhe eurodeputeti Guy Verhofstadt, i cili i bëri thirrje BE-së të hetojë mundësinë e futjes së një “ndalimi të udhëtimit” për Carlson, e përshkroi gazetarin si një “zëdhënës” të ish-presidentit amerikan Donald Trump dhe Vladimir Putin.
“Duke qenë se Putini është kriminel lufte dhe Bashkimi Evropian sanksionon të gjithë ata që e ndihmojnë në këtë, duket logjike që Shërbimi i Punëve të Jashtme të hetojë edhe rastin e Carlson-it”, tha Verhofstadt, transmeton Telegrafi.
Ish eurodeputeti Luis Garricano tha se është dakord me Verhofstadt.
“Carlson nuk është më një gazetar, por një propagandues i regjimit më të urryer në tokën evropiane dhe ai që është më i rrezikshmi për paqen dhe sigurinë e Evropës”, tha Garicano.
Deputeti i Parlamentit Evropian dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme të Estonisë, Urmas Paet deklaroi se Putin është “president i një vendi që është agresor, i akuzuar për gjenocid dhe krime lufte”.
“Carlson dëshiron t’i japë një platformë dikujt të akuzuar për gjenocid. Kjo është e gabuar. Nëse Putin ka diçka për të thënë, ai duhet ta thotë atë përpara Gjykatës Ndërkombëtare Penale”, tha Paet.
Ai shtoi se Carlson “nuk është një gazetar i vërtetë sepse ai ka shprehur qartë simpatinë e tij ndaj regjimit rus dhe Putinit dhe vazhdimisht nënçmon Ukrainën, një viktimë e agresionit rus”.
“Pra, për një propagandë të tillë të regjimit kriminal, mund të përfundoni në listën e sanksioneve. Kjo para së gjithash i referohet ndalimit të udhëtimit në vendet e BE-së”, tha Paet.
Carlson nuk është deklaruar për këtë deri më tani.
Ai konfirmoi mbrëmë se ka shkuar në Moskë për një intervistë të planifikuar me Putinin, duke thënë se po e bënte sepse ishte punë e një gazetari.
“Ne merremi me gazetari. Detyra jonë është të informojmë njerëzit”, tha Karlson në një video të postuar në rrjetin social X.
Ai shtoi se lufta në Ukrainë është një “katastrofë njerëzore” në të cilën është vrarë një brez i tërë ukrainasish, por që, sipas tij, shumica e amerikanëve nuk janë mjaftueshëm të informuar për atë konflikt. /Telegrafi/