Trajneri spanjoll i Newcastle United, Rafa Benitez po konsideron një sulm në janar në kampionatin holandez, Eredivisie, tek lojtari i Përfaqësueses së Kosovës, Milot Rashica.
Mesfushori me tipare sulmues i Vitesse Arnhem, Rashica, thuhet se i është ofruar Benitezit nga skautët e Toon-it për zbulimin e talenteve.
Rashica, 21 vjeç, është një reprezentues i Kosovës, ndërsa më parë ka qenë edhe pjesë e Kombëtares së Shqipërisë dhe kjo ka rritur interesimin për shërbimet e tij.
Djaloshi nga Vushtrria është konsideruar lartë për paraqitjet e tij në Holandë dhe Newcastle është një destinacion interesant për të.
Megjithatë, planet e transferimeve të Benitezit thuhet se po komplikohen nga negociatat e marrjes së klubit nga pronarët e rinj.
Gjithashtu në këto tratativa po krijohen vështirësi nga skuadra e madhe angleze, Chelsea, të cilat gëzojnë një partneritet formal me Vitessen.
Çdo shitje e madhe nga klubi holandez duhet të drejtohet nga Chelsea para se të miratohet.
Përveç Newcastle, interesim për yllin e Kosovës thuhet se ka shprehur edhe skuadrat e mëdha italiane, Napoli dhe Lazio. /Telegrafi/