Gary Neville e vlerëson Trent Alexander-Arnoldin si një “fenomen absolut” dhe e ka krahasuar atë me lojtarin e Manchester City, Kevin De Bruyne dhe legjendën e Liverpoolit, Steven Gerrard.
Trent ka qenë në formë mahnitëse për The Reds këtë sezon dhe shënoi një super gol kundër Newcastles javën e kaluar.
Mbrojtësi i djathtë 23-vjeçar vazhdoi të tregojë rëndësinë e tij për skuadrën e Jurgen Klopp pasi asistoi te Andy Robertson në barazimin 2-2 të Liverpoolit me Tottenhamin të dielën.
Trent ka shënuar dy herë dhe ka arritur tetë asistime në 16 paraqitje në Ligën Premier këtë sezon, së bashku me tre asistime në tre ndeshje të Ligës së Kampionëve.
Neville tani ka këmbëngulur se ai “kurrë nuk ka parë” një mbrojtës të krahut si anglezi.
Duke folur në podkastin e tij në Sky Sports , legjenda e Manchester United tha: “Unë nuk mendoj se kam parë dy mbrojtës të krahut të luajnë në Ligën Premier që janë aq të mirë sa këta të dy si një çift”.
“Mënyra në të cilën ata kombinohen në fushë, mënyra se si ata luajnë lojën, ata janë në një koordinim absolut”.
“Robertson me qëndrueshmërinë e tij bën gjithçka mirë. Mbrohet mirë, ai është konkurrues – paksa shumë në fund, por ai shënoi një gol dhe asistoi te një tjetër”.
“Alexander-Arnold është një fenomen absolut kur bëhet fjalë për cilësinë e lojës së tij. Është diçka që nuk e kam parë kurrë më parë nga një mbrojtës i krahut”.
“Është si De Bruyne, është [David] Beckham, është Gerrard dhe ata janë lojtarë sulmues. Ai luan si mbrojtës i djathtë”.
“Kontributi që japin këta të dy është i pabesueshëm. Është e çuditshme për mua. Jam rritur duke thënë le ta ketë mbrojtësi i krahut. Ju nuk mund t’i lini këta të dy ta kenë atë”.
Liverpool është i dyti në Ligën Premier dhe pas kampionit në fuqi Cityt me tre pikë.
Reds do të kthehen në aksion të mërkurën në ndeshjen e tyre çerekfinale të Carabao Cup kundër Leicester City në Anfield. /Telegrafi/