Site icon Telegrafi

Netanyahu thotë se nuk e pranon një marrëveshje që i jep fund luftës në Gazë

Zbatueshmëria e një propozimi të mbështetur nga SHBA-ja për të përfunduar luftën 8-mujore në Gazë, u vu në dyshim pasi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se ai është i gatshëm të pranojë vetëm një marrëveshje “të pjesshme” armëpushimi, që nuk do t’i jepte fund luftës.

Në një intervistë të transmetuar në kanalin izraelit 14, stacion ky konservator pro-Netanyahut, udhëheqësi izraelit tha se “është i gatshëm për të pranuar një marrëveshje të pjesshme që do të rezultojë në kthimin e disa pengjeve”.

“Por ne jemi të përkushtuar që të vazhdojmë luftën pas një pauze, në mënyrë që të realizojmë qëllimin tonë për eliminimin e Hamasit. Nuk jam i gatshëm të heqë dorë nga kjo”, tha Netanyahu.

Edhe pse komentet e liderit izraelit nuk ndryshojnë shumë nga ajo që ai ka thënë më parë për kushtet e tij për një marrëveshje, ato vijnë në një kohë të ndjeshme kur duket se Izraeli dhe Hamasi po largohen nga një armëpushim i mundshëm.

Por, komentet e Netanyahut duket të jenë kontrast i thellë me skicat e marrëveshjes për armëpushim të detajuara nga presidenti amerikan, Joe Biden, i cili e cilësoi planin si plan izraelit.

Madje, vërejtjet e Bidenit mund të tendosin më tej lidhjet e Izraelit me SHBA-në, si aleatin kryesor të tij, shkruan AP, përcjell Telegrafi.

Siç raportohet, plani me tre faza do të siguronte lirimin e pengjeve. Mirëpo, mosmarrëveshjet dhe mosbesimi vazhdojnë midis të dy palëve në luftë, për mënyrën se si do të funksionojë marrëveshja.

Kjo pasi Hamasi ka këmbëngulur se nuk do të lirojë pengjet e mbetura nëse nuk ka një armëpushim të përhershëm dhe tërheqje të plotë të forcave izraelite nga Gaza.

Megjithatë, Netanyahu thotë se Izraeli është i përkushtuar për të shkatërruar aftësitë luftarake dhe qeverisëse të Hamasit.

Lexo po ashtu “Faza intensive e luftës me Hamasin do të përfundojë”, fokusi do të zhvendoset në kufirin me Libanin - thotë Netanyahu

Gjatë intervistës, kryeministri izraelit tha se faza aktuale e luftimeve po përfundon, gjë që do të krijojë terren ku Izraeli mund të dërgojë më shumë trupa në kufirin e tij verior për t’u përballur edhe me Hezbollahun, veprim ky që mund të hap front të ri lufte.

Por, ai tha se kjo nuk do të thotë që lufta në Gazë do të përfundojë.

I menjëhershëm ishte reagimi i Hamasit pas intervistës televizive të Netanyahut.

Grupi militant palestinez tha se pozicioni i tij është “në kontrast” me atë që administrata e SHBA-së tha se Izraeli e kishte miratuar.

Gjithashtu, Hamasi theksoi përsëri se marrëveshja duhet të përfshijë një armëpushim të përhershëm dhe tërheqjen e forcave izraelite nga i gjithë Rripi i Gazës.

Kushteve të grupit militant iu kundërpërgjigj Netanyahu pa vonuar shumë.

Ai tha se Izraeli nuk do të tërhiqet nga Gaza derisa të kthehen 120 pengjet.

Ndryshe, Netanyahu dhe Hamasi duket se do të vazhdojnë luftën shkatërruese pavarësisht nga numri katastrofik i viktimave civile në Gazë dhe zemërimit në rritje të izraelitëve që pas kaq shumë muajsh Izraeli nuk i ka arritur qëllimet për lirimin e pengjeve dhe mposhtjen e Hamasit. /Telegrafi/

Exit mobile version