Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha në një deklaratë të shtunën se lufta kundër Hamasit “nuk duhet të ndalet” derisa Izraeli të arrijë tre objektiva kryesore: “eliminimin e Hamasit, kthimin e pengjeve tona dhe garantimin që Gaza nuk do të jetë më një kërcënim për Izraelin”.
Në një deklaratë të lëshuar të shtunën nga zyra e tij, kryeministri tha se Izraeli “nuk do t’i japë Hamasit imunitet askund dhe ne po luftojmë për të rivendosur sigurinë si në jug ashtu edhe në veri”, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
“Deri atëherë duhet të lini gjithçka mënjanë dhe të vazhdoni me forca të përbashkëta derisa të arrihet fitorja e plotë”, përfundoi ai.
Deklarata e tij vjen pasi ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant zbuloi të enjten planet për fazën tjetër të luftës në Gaza.
Në fazën e radhës, ushtarët e Forcave të Mbrojtjes të Izraelit në Gazën veriore do të miratojnë një “qasje të re luftarake” që përfshin “sulme, shkatërrimin e tuneleve terroriste, aktivitete ajrore dhe tokësore dhe operacione speciale”, sipas Gallant.
Në Gazën jugore, ushtria izraelite do të vazhdojë ndjekjen e liderëve të Hamasit në rajon “për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, tha Gallant.
Forcat izraelite të stacionuara në jug do të fokusohen gjithashtu në “mundësimin e kthimit të pengjeve” ende në robëri, shtoi ai.
Gallant dha gjithashtu detaje të fazës së katërt dhe të supozuar të fundit të luftës, të titulluar “Dita pas”.
Faza e pasluftës e shpallur nga Gallant parashikon një Rrip të Gazës që nuk kontrollohet më nga Hamasi, i cili nuk do të “përbëjë më një kërcënim sigurie për qytetarët e Izraelit”.
Pasi të jenë arritur “qëllimet e luftës”, sipas planit të tij, “nuk do të ketë prani civile izraelite në Rripin e Gazës”.
Izraeli, megjithatë, do të ruajë “lirinë e tij operacionale të veprimit në Rripin e Gazës” dhe do të vazhdojë “të kryejë inspektimin e mallrave që hyjnë në Rripin e Gazës”, thuhej në plan. /Telegrafi/