Telegrafi

Nesta dhe Silva kalojnë çaste së bashku para përballjes ndërmjet Chelseat dhe Milanit

(Foto: Instagram/nesta)

Alessandro Nesta ka kaluar çaste të këndshme me Thiago Silvan para ndeshjes së Ligës së Kampionëve ndërmjet Chelseat dhe Milanit.

Dy mbrojtësit kaluan tri vite bashkë te Rossonerët (në periudhën 2009-2012), para se braziliani të shkonte te Paris Saint-Germain.

Pas tetë viteve të kaluara në kryeqytetin francez, qendërmbrojtësi u transferua te Chelsea, ku është duke luajtur aktualisht.

Kur luanin së bashku, dyshja kishin krijuar një partneritet të fortë në mbrojtje, saqë në vitin 2009, Nesta kishte thënë: “Thiago Silva do të ma zgjatë jetën si mbrojtës qendror”.

“Lojtar i madh, person i jashtëzakonshëm… Shumë beteja së bashku, mik! Më vjen mirë të të takova, burrë”, ka shkruar legjenda italiane në përshkrimin e fotografive në Instagram.

38-vjeçari Silva shpreson të startojë në ndeshjen e sotme (e mërkurë) ndaj Milanit që është përballje kyçe për rrugëtimin e mëtutjeshëm drejt fazës së eliminimit direkt të Ligës së Kampionëve. /Telegrafi/