Rreth shtatë milionë euro i kanë në dispozicion katër komunat e veriut për t’i shfrytëzuar, në rast se do të kenë gatishmërinë t’i shfrytëzojnë ato, raporton KTV.
Këto para janë mbledhur nga zhdoganimi i mallrave, që kanë qenë të destinuara për këtë pjesë të vendit dhe që janë futur në territorin e Kosovës përmes Jarinjës dhe Bërnjakut.
Vitin e kaluar, janë futur në këtë fond 5.2 milionë euro. Ndërkaq, sipas të dhënave të Doganave të Kosovës, deri në fillim të qershorit janë futur 1.6 milionë euro.
Ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka thënë se Zyra e Bashkimit Evropian po i shqyrton projektet që i sjellin komunat e veriut të vendit.
Kohavisioni ka bërë kërkesë të zyrtarët e Bashkimit Evropian, për të marrë informata lidhur me numrin e aplikacioneve të sjella nga këto komuna dhe fushat për të cilat kanë konkurruar, mirëpo nga Zyra e BE-së nuk kanë dhënë përgjigje.
Këto komuna, përpos që janë fatlume me përfitimet me këtë fond, që i bënë të veçanta prej komunave tjera të vendit, ato përfitojnë donacione edhe në mënyra të tjera. Në buxhetin e këtij viti, Qeveria, përmes ministrive, ka lënë në dispozicion disa milionë të tjerë për të hyrë në bashkëfinancim me komunat e veriut.
Gjithashtu, 38.5 milionë euro janë dhënë nga Bashkimi Evropian dhe 60 milionë euro tjera nga Serbia.