Site icon Telegrafi

Nëntë të vrarë nga një sulm rus në qendrën stërvitore në Lviv – çfarë dimë për bazën që është vetëm rreth 10 kilometra nga territori i NATO-s?

Nëntë persona janë vrarë dhe 57 janë plagosur në sulmin në një bazë ushtarake në Ukrainën perëndimore, ka bërë të ditur guvernatori rajonal i Lviv, Maksym Kozytsky.

Sipas BBC, përcjell Telegrafi, autoritetet tani po punojnë për të shuar zjarrin në bazë, tha ai në një konferencë për shtyp.

Kozytsky theksoi se Rusia gjuajti më shumë se 30 raketa në objektin ushtarak të Yavoriv.

Anëtarët e forcave të armatosura të SHBA-së dhe Ukrainës morën pjesë në stërvitjet në bazë – në shkurt

Një numër autoambulancash janë parë duke shkuar dhe nga baza.

Por çfarë dimë për bazën që është shënjestruar në Lviv?

Siç është raportuar më herët, forcat ruse filluan një sulm ndaj një objekti ushtarak në rajonin Lviv të Ukrainës perëndimore këtë mëngjes.

Lexo po ashtu Rusia po përparon, por ka humbje të mëdha – thotë raporti më i fundit i inteligjencës britanike

Zyrtarët lokalë thanë se raketat goditën Qendrën Ndërkombëtare për Ruajtjen e Paqes dhe Sigurinë në qytetin e Yavoriv, rreth 10 km (6.2 milje) nga kufiri polak dhe 60 km (37.2 milje) nga qendra e qytetit Lviv.

Baza mbulon një sipërfaqe prej rreth 390 kilometra katrorë (151 milje katrore) dhe mund të strehojë deri në 1,790 njerëz, megjithëse nuk dihet se sa njerëz ishin në vend në kohën e sulmit.

Ajo zakonisht përdoret për stërvitje nga ushtria ukrainase dhe partnerët e saj të NATO-s, kryesisht si pjesë e Partneritetit për Paqe, një program që synon të përmirësojë bashkëpunimin midis anëtarëve dhe jo anëtarëve të NATO-s.

Pozicioni i Lviv në perëndim të Ukrainës e ka bërë qytetin një qendër kyçe për furnizimin e ndihmës humanitare dhe ushtarake nga NATO. /Telegrafi/

Exit mobile version