Telegrafi

Nëntë palestinezë të vrarë në një sulm izraelit në Bregun Perëndimor

Nëntë palestinezë janë vrarë në një sulm ushtarak izraelit në Bregun Perëndimor të pushtuar, thonë zyrtarët palestinezë – që po vlerësohet si sulmi më vdekjeprurësi në vite.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, ushtria izraelite tha se kishte vepruar për të penguar sulme të mëdha nga një “skuadër terroriste e Xhihadit Islamik Palestinez (PIJ)”.

Gjatë një përpjekjeje për të arrestuar militantët, tre hapën zjarr drejt trupave dhe u vranë, citohet të jetë thënë më tej.

Një i katërt u dorëzua dhe u arrestua.

“Forcat e sigurisë operuan për të rrethuar ndërtesën në të cilën ndodheshin të dyshuarit”, thuhet në një deklaratë të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF). “Dy të dyshuar të armatosur janë identifikuar duke ikur nga vendi i ngjarjes dhe janë neutralizuar”.

“Një nga të dyshuarit që ishte në ndërtesë u dorëzua vetë tek forcat e sigurisë. Ushtarët e IDF-së hynë në ndërtesë për të shpërthyer dy mjete shpërthyese të përdorura nga të dyshuarit, ku ishte një i dyshuar shtesë i armatosur, i cili u neutralizua nga ushtarët në vendin e ngjarjes”.

IDF akuzoi militantët se ishin “të përfshirë shumë në planifikimin dhe ekzekutimin e sulmeve të shumta terroriste ndaj civilëve dhe ushtarëve izraelitë”.

Sipas ushtrisë, persona të armatosur të tjerë palestinezë hapën zjarr ndaj trupave gjatë bastisjes.

Trupat u përgjigjën me zjarr të drejtpërdrejtë, ka thënë ushtria izraelite, duke shtuar se po shqyrtonte “pretendimet në lidhje me viktima shtesë”. /Telegrafi/