Telegrafi

Nënshkruhet marrëveshja, Lëvizja Besa në koalicion me LSDM-në në zgjedhjet e 12 prillit

Kryetari i Lëvizjes Besa Bilall Kasami dhe ai i LSDM-së, Zoran Zaev, sot kanë nënshkruar marrëveshje për koalicion parazgjedhor për zgjedhjet e 12 prillit.

Marrëveshja u nënshkrua në Shkup, në hapësirat e Muzeut të Arteve Bashkëkohore, njofton Telegrafi Maqedoni.

Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes u tha se të dy partitë do të angazhohen për zhvillim të barabartë dhe drejtësi.

“Marrëveshja për koalicion nënshkruhet në frymën e mirëbesimit dhe vlerave evropiane, që e bëjnë të gjitha shtetet evropiane. LSDM dhe Lëvizja Besa duke i tejkaluar të gjitha dallimet, sot arrijnë marrëveshje për koalicion parazgjedhor. Do të angazhohemi për përforcmin e marrëdhënieve ndëretnike, zhvillim të barabartë në gjithë territorin, dhënien e mundësive të barabarta dhe angazhimin e gjithë kabinetit qeveritar për përmirësimin e jetës së qytetarëve”.

“Nuk do të lejojmë që të pafajshmit të vuajnë në burgje. Gjithë potenciali i të dy partive politike do të vendoset në interes të përbashkët dhe të qytetarëve. Marrëveshja do të dërgohet në organet partiake të të dy partive”, u theksua gjatë ngjarjes së nënshkrimit të marrëveshjes për koalicion.

Kryetari i Lëvizjes Besa Bilall Kasami, gjatë fjalimit të tij ju bëri thirrje edhe partive tjera që t’i bashkëngjiten këtij koalicioni.

“Zgjodhëm të jemi në koalicion me LSDM-në, pasi LSDM-ja synon ta bëjë vendin anëtare të BE-së. Me këtë partneritet do të tregojmë se shqiptarët dhe maqedonasit mund të punojnë së bashku për të mirën e vendit”, tha Kasami.

Ndërsa kryetari i LSDM-së Zoran Zaev, tha se shoqëria po ndryshon për të mirë dhe se koncepti “për shoqëri të përbashkët” i sfidon stereotipet.

“LSDM-ja ishte partia e parë maqedonase që arriti të marrë vota të shqiptarëve. Por ky sot është akt i veçantë. Me këtë hap të përbashkët, karakterin multietnik të Maqedonisë së Veriut e konkretizojmë në program qeveritar”, tha Zaev.

Ndryshe, përveç këtij koalicioni, para disa ditësh edhe partitë Aleanca për Shqiptarët dhe Alternative nënshkruan marrëveshje për koalicion parazgjedhor./Telegrafi/