Nëna e Lionel Messit, Celia Cuccittini ka thënë se nuk e kishte menduar që djali i saj do të fitonte edhe një Top të Artë pas të pestit që e mori në vitin 2015.
Ylli i Barcelonës arriti t’i mposhtë Virgil van Dijkun e Liverpoolit dhe Cristiano Ronaldon e Juventusit, për ta fituar trofeun për të gjashtë herë.
32-vjeçari u bë lojtari i parë në histori të futbollit që arrin të fitojë Topin e Artë për të gjashtë herë, pasi rivalizohej nga portugezi që ka pesë.
“Jam shumë e lumtur. Nuk e prisnim që ai do ta fitonte çmimin. Menduam se i pesti do të ishte i fundit për të, kështu që kjo ishte një befasi e mirë”, ka thënë ajo në një intervistë për CCN Radio Argentina.
“Ai gjithmonë na befason neve me të arriturat e tij. Mbi të gjitha, duke marrë çfarë njeriu është, kjo më bën më të lumtur”.
Celia më tutje shtoi se ajo është e lumtur që edhe në Argjentinë e shohin si një lojtar të veçuar nga të tjerë dhe si njëri ndër më të mirët të të gjitha kohërave. /Telegrafi/