Telegrafi

Negocimi me Moskën do të ishte kapitullim – thotë këshilltari kryesor i Presidencës së Ukrainës

Përpjekjet e Perëndimit për të bindur Ukrainën që të negociojë me Moskën, pas një sërë fitoresh të mëdha ushtarake nga Kievi, janë “të çuditshme” dhe përbëjnë një kërkesë për kapitullimin e saj.

Kështu ka vlerësuar në një deklaratë për AFP, një këshilltar kryesor i presidencës ukrainase, përcjell Telegrafi.

“Kur ke iniciativën në fushën e betejës, është paksa e çuditshme të marrësh propozime të tilla si: ‘ju nuk do të jeni në gjendje të bëni gjithçka me mjete ushtarake gjithsesi, ju duhet të negocioni’”, ka thënë Mykhaylo Podolyak, këshilltari i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

Kjo do të thotë se vendi “që rimerr territoret e tij, duhet të kapitullojë ndaj vendit që po humbet”, shtoi ai, gjatë një interviste me AFP në zyrën e tij në ndërtesën e presidencës në Kiev.

Mediat amerikane raportuan kohët e fundit se disa zyrtarë të lartë kishin filluar të inkurajonin Ukrainën që të merrte në konsideratë bisedimet, të cilat Zelensky deri më tani i ka hedhur poshtë pa një tërheqje paraprake të forcave ruse nga i gjithë territori ukrainas.

Sipas Podolyak, Moska nuk i ka bërë “asnjë propozim të drejtpërdrejtë” Kievit për bisedimet e paqes, duke preferuar t’i transmetojë ato përmes ndërmjetësve dhe madje duke rritur mundësinë e një armëpushimi.

Siç vënë në pah mediat, Kievi i sheh një bisedë të tillë si një manovrim të thjeshtë të Kremlinit për të fituar pak kohë në terren dhe për të përgatitur një ofensivë të re.

Pavarësisht humbjeve të rënda ushtarake të Rusisë në javët e fundit, duke përfshirë rimarrjen e qytetit kyç jugor të Khersonit nga Ukraina, presidenti Vladimir Putin ende mendon se “ai mund ta shkatërrojë Ukrainën, ky është obsesioni i tij”, dhe negociatat me të “nuk ka kuptim”, argumentoi Podolyak.

Andaj, Perëndimi nuk mund t’i bëjë presion Ukrainës në negociata, këmbënguli ai. /Telegrafi/