Ukraina nuk do të bëjë kompromis për integritetin territorial në negociatat me Rusinë, por është e gatshme të diskutojë rreth një model të mos anëtarësimit në NATO, tha për Fox News, David Arakhamia, një nga negociatorët ukrainas.
Ukraina po kërkon anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO, gjë që Moska e kundërshton. Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se mundësia e anëtarësimit të Ukrainës në NATO është dëshmi se aleanca po kryen agresion kundër Rusisë.
“Përgjigja që marrim nga vendet e NATO-s është se ata nuk janë as të gatshëm të negociojnë anëtarësimin tonë, të paktën jo deri në dhjetë vitet e ardhshme”, tha negociatori Arakhamia, transmeton Telegrafi.
Watch the latest video at foxnews.com
“Ne jemi gati të negociojmë një model jo-NATO. Për shembull, ne mund të marrim garanci të drejtpërdrejta nga vende të ndryshme, si SHBA, Kina, Mbretëria e Bashkuar dhe ndoshta Gjermania e Franca. Ne jemi të gatshëm të bisedojmë me një gamë të gjerë vendesh, por jo vetëm me Rusinë”, shtoi ai.
Delegacionet ukrainase dhe ruse kanë mbajtur tashmë dy raunde bisedimesh që kur Rusia sulmoi Ukrainën fqinje më 24 shkurt ndërsa gjatë ditës së nesërme pritet rrethi i tretë i diskutimeve.
Cili është modeli jo-NATO?
Modeli jo-NATO (MNNA) është një emër i dhënë nga Shtetet e Bashkuara për qeveritë e vendeve aleate të ngushta që kanë marrëdhënie strategjike me forcat e armatosura të SHBA-së, por nuk janë anëtarë të NATO-s.
Statusi i tyre nuk përfshin një marrëveshje të mbrojtjes reciproke me Shtetet e Bashkuara, por ajo sjell avantazhe të ndryshme ushtarake dhe financiare që nuk janë të disponueshme për vendet joanëtare të NATO-s. /Telegrafi/