Kryeministri Edi Rama ka folur në rubrikën “Sy m’sy” lidhur me negociatat me Bashkimin Evropian.
Rama u shpreh se Shqipëria do ketë shansin të futet në BE dhe shqiptarët do mund të lëvizin me pasaportat e BE-së nëse qeveria e udhëhequr prej tij fiton mandatin e katërt në zgjedhjet e 11 majit.
Duke iu përgjigjur ndjekësve të cilët e kanë pyetur se përse kjo nuk është arritur më herët, Rama u shpreh se Shqipëria ndonëse e ka nisur procesin e negociatave me BE shumë më vonë se fqinjët e saj, tashmë ka përparuar dhe është më afër se to në procesin e anëtarësimit.
“Së pari më shumë se një fitore për mua personalisht, apo për Partinë Socialiste, është një fitore për të gjithë hyrja në Bashkimin Evropian. E dini kur i ka filluar negociatat Mali i Zi? Në vitin 2012, ne i kemi filluar vjet. Serbia i ka fillua negociatat në vitin 2014. E dini se ku gjendet sot Serbia dhe ku gjendemi ne në procesin e negociatave? Jemi ne përpara. E dini kur është bërë Maqedonia e Veriut kandidate për Bashkimin Evropian në vitin 2005, 20 vjet më parë, akoma nuk i ka hapur negociatat. Për çfarë flisni? Çfarë e dini ju hyrjen në Bashkimin Evropian?”,-tha Rama. /Telegrafi/