Policia e Kosovës ka arrestuar një person në pikën kufitare Vërmicë pasi që gjatë kontrollit në veturën e tij është gjetur një sasi e marihuanës.
Sipas policisë, shtetasi i Kosovës me inicialet F.M. (1981), u kap dje derisa nga vinte nga Shqipëria me një veturë të tipit “Fiat Croma”.
“Bazuar në bashkëpunimin e Drejtorisë për hetimin e trafikimit me narkotik dhe Policisë Kufitare të Kosovës, automjeti është përzgjedhur për kontroll të vijës së dytë nën dyshimin e posedimit të substancave narkotike. Asistencë relevante për identifikimin e substancës narkotike ka ofruar edhe Policia Kufitare e Shqipërisë me ç’rast, nën rrotën rezervë në bagazh është detektuar një bunker i dyshuar”, thotë policia.
Më tej, autoritetet kufitare të Policisë së Kosovës kanë vazhduar me kontroll të mëtutjeshëm ku edhe është hasur në një sasi e substancës së dyshuar narkotike e llojit marihuanë me peshë rreth 30 kilogramë.
Lidhur me rastin janë informuar njësitet relevante të policisë, ato të antidrogës dhe forenzikës për procedura të mëtejme hetimore./Telegrafi.