Site icon Telegrafi

Ne do të luftojmë deri në fund – thotë Netanyahu

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka përsëritur qëndrimin e tij se një armëpushim i plotë nuk është në plan dhe forcat e tij do të luftojnë “deri në fund”.

Siç është raportuar, ndërmjetësit egjiptianë dhe nga Katari po punojnë për të siguruar një zgjatje të pauzës aktuale të luftimeve.

Por kryeministri izraelit ka përsëritur qëndrimin se pavarësisht zgjatjes së pauzës së luftimeve, nuk do të ketë një armëpushim të plotë.

“Që nga fillimi i luftës, kam vendosur tri synime: eliminimin e Hamasit, kthimin e të gjithë pengjeve tona dhe sigurimin që Gaza nuk do të kthehet më kurrë në kërcënim për shtetin e Izraelit. Këto tri synime ende qëndrojnë”, citohet të ketë thënë Netanyahu në një deklaratë, përcjell Telegrafi.

Megjithatë, ai tha se kthimi i dhjetëra pengjeve ishte një “arritje shumë e madhe”.

“Por ditët e fundit kam dëgjuar një pyetje: Pas përfundimit të kësaj faze të kthimit të pengjeve tanë, a do të kthehet Izraeli në luftime? Përgjigja ime është një po pa ekuivokë”.

“Nuk ka asnjë situatë në të cilën ne nuk i kthehemi luftës deri në fund. Kjo është politika ime. I gjithë kabineti i sigurisë është prapa kësaj. E gjithë qeveria është prapa kësaj. Ushtarët janë pas kësaj. Populli është pas kësaj – kjo është pikërisht ajo që ne do të bëjmë”. /Telegrafi/

Exit mobile version