Site icon Telegrafi

Në takim me deputetin Jacobsson, presidentja Osmani përmend agjendën destabilizuese të Serbisë kundër vendeve të rajonit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu priti sot në takim deputetin e Riksdag, Parlamentit të Mbretërisë së Suedisë, Magnus Jacobsson, ku ka përmendur agjendën destabilizuese të Serbisë kundër vendeve të rajonit, si dhe rritjen e bashkëpunimit ushtarak, politik e ekonomik nga ana e tyre me Rusinë.

Presidentja Osmani dhe deputeti Jacobsson diskutuan për bashkëpunimin në mes të dy vendeve tona, liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, rrugëtimin euro-atlantik të vendit tonë dhe situatën gjeopolitike në Evropë.

Deputeti Jacobsson vlerësoi punën e presidentes Osmani në lartësimin e zërit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, që shndërruan dhimbjen në forcë dhe mbesin figura shembullore të qëndresës.

Presidentja falënderoi deputetin Jacobsson në angazhimin e tij për të avokuar për liberalizim e vizave për qytetarët tanë dhe mbështetjen e tij për integrimin euro-atlantik të Kosovës.

Sipas një komunikate të Presidencës, në takim u bisedua edhe për zhvillimet në kontinentin evropian dhe luftën gjenocidale të Putinit ndaj popullit ukrainas.

Presidentja ritheksoi hapat e ndërmarra nga institucionet tona për t’i bashkërenduar përpjekjet me aleatët, duke përfshirë sanksionet kundër Rusisë. /Telegrafi/

Exit mobile version