Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një takim me Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, në Strugë të Maqedonisë së Veriut, diskutoi për marrëdhëniet e veçanta ndërmjet dy republikave.
Në komunikatën nga Zyra e Kryeministrit thuhet se gjatë këtij takimi Kurti ka shprehur keqardhjen e tij për anulimin e njëanshëm të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, që ishte paraparë të mbahej të mërkurën në Gjakovë, me ç’rast u humb mundësia e nënshkrimit të 13 marrëveshjeve të reja nga të cilat do të përfitonin qytetarët tanë.
Ai e ka falënderuar presidentin Begaj për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, si dhe për qëndrimin e tij në lidhje me rrëmbimin e tre policëve të Kosovës nga forcat serbe, duke e dënuar këtë akt të agresionit dhe duke kërkuar lirim të menjëhershëm të tyre.
Kurti gjithashtu e ka njoftuar presidentin Begaj me propozimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për depërshkallëzim dhe normalizim të plotë të situatës në komunat në veri, teksa riktheksoi se sundimi i ligjit duhet të jetë premisa bazë e çdo zgjidhjeve për rrugën përpara, thuhet në komunikatë.
Kryeministri Kurti po merr pjesë sot në Forumin e Prespës, në Strugë të Maqedonisë së Veriut./Telegrafi/