Telegrafi

Në rast të largimit nga Reali, Varane do të bëhet mbrojtësi më i shtrenjtë në histori

Raphael Verane (Foto: Denis Doyle/Getty Images/Guliver)

Raphael Varane e ka vënë në dyshim vazhdimin e karrierës te Real Madridi, mirëpo klubi që dëshiron ta blejë atë duhet ta thyejë rekordin transferues të një mbrojtësi. Bayern Munichu, Manchester Unitedi e Paris Saint-Germaini, janë klubet më të interesuara për shërbimet e 25-vjeçarit.

Por, pasi Liverpooli pagoi 90 milionë euro për Virgil Van Dijkun, është rritur dukshëm çmimi i mbrojtësve të nivelit të lartë.

Raphael Varane (Foto: Denis Doyle/Getty Images/Guliver)

Dhe kur kihet parasysh suksesi individual dhe kolektiv i mbrojtësit francez, i cili është vetëm 25 vjeçar, atëherë çmimi i tij është shumë i lartë, ndërkohë që me Los Blancos ka një klauzolë prej 200 milionë eurosh për prishjen e kontratës.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet nga Raphael Varane

Reali së fundmi ka njoftuar se ka shpenzuar 50 milionë euro për Militaon nga Porto, i cili nuk ka shumë kohë që ka ardhur në Evropë nga Brazili, por ai nuk është as në pesë vendet e parë të mbrojtësve më të shtrenjtë.

Aymeric Laporte është mbrojtësi i dytë më i shtrenjtë (pas Van Dijkut) me 70 milionë euro, pas transferimit të tij nga Athletic Bilbao te Manchester City.

 

Mbrojtësi më i shtrenjtë deri më tani, Virgil van Dijk (Foto: Marc Atkins/Getty Images/Guliver)

City njëherësh ka në pronësi edhe mbrojtësin e tretë, të katërt dhe të pestë më të shtrenjtë – Benjamin Mendy (nga Monaco, për 58 milionë euro), Kyle Walker (nga Tottenham Hotspur, për 56 milionë euro) dhe John Stones (nga Evertoni, 55.6 milionë euro).

Sido që të jetë, përkundër se mund të marrë oferta të mëdha, Reali vështirë se mund ta lejojë largimin e Varane, i cili është shumë i rëndësishëm për skuadrën.

Për më shumë, atë e ka sjellë në skuadër Zinedine Zidane (nga Lensi) dhe me rikthimin e legjendës franceze, ai mund ta bindë bashkëkombësin e tij që të qëndrojë në Santiago Bernabeu. /Telegrafi/