Site icon Telegrafi

Në pritje të votave të Listës Serbe

Ndonëse po bëhen gjashtë muaj prejse qeveria “Haradinaj” ka marrë zyrtarisht detyrën, Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi ende nuk ka gjetur zgjidhje.

Përkundrazi, koalicioni qeverisës (PAN) ende nuk po arrin t’i sigurojë votat e mjaftueshme për ta kaluar këtë marrëveshje.

E ndërprerë tri herë brenda pak ditësh, seanca për ratifikimin e Demarkacionit mund të mos vazhdojë as këtë javë.

Kështu ka lënë të nënkuptohet kryeparlamentari Kadri Veseli dje, i cili tha se seanca për shënimin e kufirit mund të mbahet edhe gjatë javës që vjen.

Nga ana tjetër, Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se është në kontakt të vazhdueshëm me Listën Serbe (LS) lidhur me këtë çështje, ashtu sikurse edhe me partitë e tjera.

Mirëpo kryekuvendari Veseli (partner i koalicionit) nuk ka treguar nëse LS-ja është bindur që ta mbështesë këtë Marrëveshje.

Megjithatë, ai ka thënë se pret reflektim nga ana e tyre.

Ndërkaq, përderisa Lista Serbe po vazhdon të mos deklarohet rreth kësaj çështjeje, deputeti Sllobodan Petroviq (nga SLS-ja), ka ritheksuar edhe një herë se vota e tij karshi Demarkacionit do të jetë pro. /zëri/

Exit mobile version