Site icon Telegrafi

Në pritje të aktgjykimit të plotë për Qeverinë Hoti

Të mërkurën pritet që Gjykata Kushtetuese e Kosovës të publikojë aktgjykimin e plotë lidhur me votimin e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Më 21 dhjetor, 2020, Kushtetuesja kishte konstatuar se qeveria e zgjedhur më 3 qershor 2020, nuk ishte në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 [zgjedhja e qeverisë] të Kushtetutës sepse qeveria nuk kishte marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve.

Kjo për shkak të votës së deputetit Etem Arifit, i cili, më 3 qershor votoi për Qeverinë Hoti, ndonëse kishte një dënim të formës së prerë për veprën penale “mashtrim me subvencione”, prej një vit e tre muaj burgim.

Palët në këtë rast janë Qeveria tashmë në detyrë e Kosovës dhe partia opozitare, Lëvizja Vetëvendosje.

Ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu tha për Radion Evropa e Lirë, se mospublikimi i aktgjykimit të plotë nga gjykata deri tani ka të bëjë me procedurat e përkthimit në gjuhë zyrtare dhe arsyetimi i vendimit.

“Ajo që ka dal në opinion publik ka qenë vetëm dispozicioni, tash duhet të bëhet arsyetimi. Arsyetimi bëhet në mënyrë shumë profesionale dhe në mënyre vëllimore mbi 30-40, deri në 50 faqe. Këtu është problemi, nuk janë vonuar”, tha Kryeziu.

Por, Gjyljeta Mushkolaj, profesoreshë në Universitetin e Prishtinës dhe ish- gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjykata i ka kaluar afatet kohore të mundshme bazuar në rregullore për publikimin e aktgjykimit të plotë lidhur me Qeverinë Hoti.

“Afati ka skaduar për një gjë të tillë. Këtë po e them për shkak se në njoftim e kemi parë edhe pjesët edhe të arsyetimit. Kjo nënkupton se është konsumuar afati [i publikimit] se është maksimumi afati prej dhjetë ditësh, kur duhet të qarkullojë teksti te gjyqtarët para se të publikohet. E di që rregullorja e punës thotë që ka mundësi që të vendosin gjyqtarët për shkurtimi e atij afati prej dhjetë ditësh. Nëse ka ndodhur publikimi i njoftimi me pjesë të aktgjykimit, kjo do të thotë se ai afat më nuk ka ekzistuar. E vetmja gjë që ka pasur mundësi të bëjë gjykata në këtë kohë është përkthimi. Përveç kësaj, nëse ndodh që do të duhej të korrigjohet ndonjë gjë, ai korrigjim nuk guxon të jetë tjetër, përveç se korrigjimit që ka të bëjë me ndonjë korrigjim teknik edhe plus do të duhej gjykata të merrte vendim shumë të veçantë për korrigjim të tillë”, tha Mushkolaj.

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani tashmë ka mbajtur takimet e para me përfaqësuesit e partive politike për konsultime rreth datës për zgjedhjet e reja, por sipas saj vendimi do të merret pasi palët të marrin aktgjykimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese për Qeverinë e Kosovës.

Analisti politik Albert Krasniqi nga organizata ‘Demokraci Plus’, tha për Radion Evropa e Lirë se vet procesi në përgjithësi ka qenë i vonuar nga Gjykata Kushtetuese, pasi që sipas tij, kanë kaluar me shumë se gjashtë muaj kohë, deri sa gjykata ka vërtetuar se një vendim i kuvendi ka qenë jokushtetues.

“Natyrisht edhe vonesa e aktgjykimit e prolongon edhe më tej këtë definim të çështjes për shkak se në rast se do të kishte një publikim më të shpejt ose më të hershëm, vendi do të shkonte në zgjedhje dhe disa gjera do të qartësoheshin me kohë. Pra, natyrisht se ndikon negativisht vonesa në publikimit të këtij aktgjykimi. Kjo vonesë ndikon në reputacioni e gjykatës, ndikon edhe në performancën e institucioneve të tjera”, tha Krasniqi.

Sido që të jetë, përfaqësuesit e partive politike pas takimit me ushtruesen e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani kanë përmendur fundin e muajit janar dhe fillimin e shkurtit të vitit 2021, si periudha të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 21 dhjetorit, që tha se Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti, u zgjodh në mënyrë jokushtetuese.

 

Exit mobile version