Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kanë lëshuar një përditësim mbi ofensivën e tyre në Gaza, duke thënë se rreth 300 objektiva janë goditur gjatë ditës së fundit si në sulmet ajrore ashtu edhe nga ato tokësore.
IDF thotë gjithashtu se “shumë terroristë të Hamasit janë vrarë” nga trupat, të cilët luftuan “celulat terroriste që gjuanin raketa antitank dhe me automatikë drejt tyre”.
Ndër objektivat e goditura me sukses, thotë përditësimi, janë pikat e lëshimit të raketave antitank dhe raketave poshtë boshteve të tunelit, si dhe komplekset ushtarake brenda tuneleve nëntokësore, përcjell Telegrafi.
Ushtria izraelite “po godet në të gjitha pjesët e Rripit të Gazës”, tha zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF), nënkoloneli Jonathan Conricus në një përditësim operacional të martën.
“Ne do të fokusojmë aktivitetet tona në pjesën veriore të Gazës, që është qendra e gravitetit të Hamasit… por ne vazhdojmë të godasim në pjesë të tjera të Gazës. Ne po gjuajmë komandantët e tyre, po sulmojmë infrastrukturën e tyre dhe sa herë që ka një objektiv të rëndësishëm, ne e godasim atë”.
Conricus përsëriti gjithashtu se Izraeli po bënte gjithçka që mundej për të shmangur vrasjen e civilëve, përpara se të akuzonte Hamasin për përdorimin e spitalit kryesor të qytetit të Gazës, Al Shifa, si një vend për “terroristët për t’u fshehur”.
Dy javë më parë, Izraeli u bëri thirrje civilëve të bllokuar në enklavë që të niseshin në jug të lumit Wadi Gaza për sigurinë e tyre, ndërsa vazhdonte bombardimet hakmarrëse.
Ndërkohë të hënën, forcat e IDF u futën më thellë në Gazën veriore – ku besohet se kanë mbetur 600,000 njerëz – me tanke që prenë për një kohë të shkurtër një rrugë evakuimi në jug, sipas dëshmitarëve palestinezë. /Telegrafi/