Policia në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Pejë, ka zhvilluar këtë të diel operacionin e koduar “Kalaja”, ku janë arrestuar dy persona të dyshuar, shtetas të Kosovës.
Operacioni u krye në një qendër tregtare përgjatë rrugës magjistrale Pejë-Deçan dhe çoi në zbulimin e rreth 100 kilogramëve të substancës së dyshuar narkotike të llojit marihuanë, e cila u gjet në fshatin Raushiq.
Sipas raportit, kjo sasi përfshinte gjithsej 213 bimë të kultivuara në oborrin e një ferme.
“Pas kryerjes së arrestimeve është vazhduar me bastisje dhe deri në këtë fazë në fshatin Raushiq të Pejës janë gjetur rreth 100 kilogram substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, sasi kjo në gjendje të ndryshme, disa prej tyre e gatshme dhe të tjera në formë të bimëve duke u tharë e cila është sekuestruar. Bimët kanë qenë të kultivuara në oborrin e një ferme në afërsi të një shtëpie në fshatin Raushiq dhe sasia e tyre është 213 bimë”.
Kontrollet dhe bastisjet vazhduan edhe në fshatin Barilevë të Prishtinës, ku u gjet një sasi tjetër e vogël e substancës narkotike.
Gjithashtu, janë konfiskuar katër vetura të dyshuara si mjete të veprës penale.
Prokurori kompetent dhe ekipi forenzik i Policisë së Kosovës janë në vendin e ngjarjes për procedura të mëtejshme, ndërsa hetimet do të vazhdojnë nga njësitet e antidrogës dhe Prokuroria Themelore në Pejë./Telegrafi/