Lëvizja Vetëvendosje ka bërë publike ofertën e fundit që i bëri Lidhjes Demokratike të Kosovës, për të arritur një koalicion për bashkëqeverisje.
Në ofertën që Kurti i bëri Mustafës, parashihet rritje e numrit të ministrive nga 12 në 14 ku ndarja do të ishte 6 ministri për LDK-në, 5 të tjera për LVV-në, kurse 3 për minoritetet, shkruan Telegrafi.
Oferta e përbërë nga 3 pika, përveç rritjes së ministrive potencon edhe ndarjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ku Sporti do t’i bashkëngjitet Ministrisë së Shëndetësisë, ndërkaq Kultura dhe Rinia t’i bashkëngjiten Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë.
Kurti nuk ka hezituar që ta përmend edhe kohën e PAN-it në këtë ofertë.
Në pikën 3 të propozimit, ku bëhet fjalë për presidentin, Vetëvendosje LDK-së ia përmendi PAN-in, dhe kufizimin karshi ujdive eventuale me ish-PAN-in.
“Bëhet një formulim i përbashkët për çështjen e Presidentit të Republikës së Kosovës bazuar në draftin fillestar nga LDK që përfshin qëndrimin karshi presidentit aktual, përpjekjen për koncensus dhe kufizimin karshi ujdive eventuale me ish PAN-in.
Shpresoj ta pranoni propozimin tonë dhe pa humbur kohë ta formojmë qeverinë e ta zbatojmë programin e harmonizuar qeverisës”, thuhet në pikën e 3 të ofertës së LVV-së për LDK-në.
Oferta e plotë:
I nderuari Kryetar i LDK-së, z. Isa Mustafa,
Në kuadër të bisedimeve tona për formimin e koalicionit qeverisës, në takimin tonë të fundit të mbajtur të enjten, më 9 janar 2020, kam bërë propozimin përfundimtar për marrëveshje ndërmjet dy subjekteve tona. Sipas kërkesës suaj në komunikimin tonë të fundit, po ua dërgoj atë edhe me shkrim:
1. E shtojmë numrin e ministrive në qeveri, nga 12 në 14 sosh, me ç’rast Lëvizja VETËVENDOSJE! i ka 5 ministri kurse Lidhja Demokratike e Kosovës i ka 6 ministri. Ministria shtesë për LDK vjen si pjesë e njërës prej ministrive më të mëdha që ka LVV. 3 ministri i kanë pakicat, siç edhe parashihet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Vlen dakordimi i mëhershëm që zëvendëskryeministri i parë i takon LDK-së, ndërkaq zëvendëskryeministri i dytë LVV-së.
2. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndahet, ashtu që Kultura dhe Rinia i bashkangjiten Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ndërsa Sporti i bashkangjitet Ministrisë së Shëndetësisë. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal janë dy nga tri ministritë që u jipen pakicave. Ministria e tretë është ajo për Komunitete.
3. Bëhet një formulim i përbashkët për çështjen e Presidentit të Republikës së Kosovës bazuar në draftin fillestar nga LDK që përfshin qëndrimin karshi presidentit aktual, përpjekjen për koncensus dhe kufizimin karshi ujdive eventuale me ish PAN-in.
Shpresoj ta pranoni propozimin tonë dhe pa humbur kohë ta formojmë qeverinë e ta zbatojmë programin e harmonizuar qeverisës. /Telegrafi/