Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, është përplasur verbalisht me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në seancën e Kuvendit të enjten.
I gjithë debati nisi pasi deputetja Musliu tha se në Kosovë nuk ka femicid pasi “nuk jemi as Afganistan e as Iran”, raporton Telegrafi.
“Ne jemi shoqëri demokratike e po jetojmë në mes të Evropës. Dënoj cdo vrasje qofshin ato të burrave qofshin ato të grave”, ka thënë ajo.
E ndaj deklarimeve të deputetes opozitare ka reaguar ministrja Haxhiu duke thënë se dhunuesit dhe kriminelët potencialë mund të inkurajohen nga ky fjalim i Musliut.
“Nuk do të doja që në këtë foltore të Kuvendit të kemi një deputete që ka qasje të tillë. Në fakt dhunuesit dhe kriminelët potencialë kur ju dëgjojnë teksa flisni kështu, sigurisht inkurajohen nga fjala jote”, është shprehur ministrja.
Ajo tutje ka kujtuar se që nga viti 2000 deri më 2022 në Kosovë janë vrarë 66 gra nga partnerët apo bashkëshortët e tyre.
“Vetëm sepse janë gra. Burrat konsiderojnë që kanë të drejtë që të bëjnë gjithçka me trupin dhe jetën e grave. Ju ftoj që të bashkoheni në angazhimin tonë kundër dhunës në familje dhe femicidit sepse po, në Kosovë ka femicid”.
“Por, mendësia jote shpërfaqë mendësinë e qeverisjes së PDK-së sepse asnjë veprim nuk e keni ndërmarrë për të adresuar dhunë në familje dhe dhunën ndaj grave. Jeni të përmirësueshëm zonja Musliu”, ka deklaruar Haxhiu. /Telegrafi/