Telegrafi

Në Kombet e Bashkuara mohojnë se kanë urdhëruar stafin të mos përdorin fjalët “luftë dhe pushtim”, për situatën në Ukrainë

Kombet e Bashkuara kanë mohuar se stafit të tyre u është thënë të mos përdorin fjalët “luftë dhe pushtim”, sa i përket konfliktit në Ukrainë, shkruan The Guardian.

Në një e-mail dërguar redaksisë së medias britanike, zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara, Stephane Dujarric, tha se “stafi nuk është këshilluar të mos përdorin fjalë si lufta apo pushtimi”.

Ai madje i është referuar postimit të fundit në Twitter të diplomates amerikane Rosemary DiCarlo në Kombet e Bashkuara, ku ndër tjera në postim thuhet “kjo luftë është e pakuptimtë”.

Madje The Guardian ka kontaktuar punonjësit në Kombet e Bashkuara, për t’i pyetur për një instruksion të tillë, por edhe ata e kanë mohuar kategorikisht.

Gjatë ditës së sotme ishte raportuar, se punonjësit në Kombet e Bashkuara janë këshilluar që të mos përdorin fjalët luftë dhe pushtim sa i përket situatës në Ukrainë. /Telegrafi/