Arben Ahmetaj, ish-zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë, është rasti i vetëm që një deputet për të cilin u kërkua arrestimi nuk ndodhet në Shqipëri.
Pedagogia e procedurës penale në Fakultetin e Drejtësisë shpjegon se si veprohet në të tilla raste kur deputeti tashmë pa imunitet ka ikur në drejtim të paditur përtej kufijve, raporton A2 CNN.
Pas autorizimit të Kuvendit, kërkesa dërgohet në Gjykatën e Posaçme për lejimin e masës së sigurimit e menjëherë prokurori nxjerr urdhrin e ekzekutimit të cilin ja dorëzon policisë.
“Drejtoria e Policisë duhet të bëjë verifikimet se ku ndodhet ky individ”, thotë Lirime Çukaj.
Por si bëhen kërkimet nga ana e policisë? “Këto kërkime janë të ndryshme dhe të shumta. Së pari, verifikohet nga TIMS-i nëse ky individ e ka kaluar shtetin shqiptar në mënyrë të ligjshme. Nëse do të konkludohet kështu do të kthehet informacioni nga Policina pranë SPAK-ut duke i bërë me dije se nuk po arrijmë të bëjmë dot ekzekutimin e vendimit pasi personi ndodhet jashtë Shqipërisë”.
Nëse Ahmetaj sërish nuk do të gjendet dhe policia e konfirmon këtë gjë, atëherë prokuroria vepron me urdhrin e arrestit ndërkombëtar. Diçka e tillë bëhet vetëm në rastet kur vendndodhja e personit të kërkuar nuk dihet.
“Urdhri i arrestit ndërkombëtar i dërgohet të gjitha autoriteteve të huaja nëpërmjet INTERPOL-it, ka një rrugë shumë të shpejtë dhe efikase”.
Por nëse ka informacione mbi vendndodhjen e ish/zv kryeministrit, atëherë ka një tjetër procedurë e cila është më e thjeshtë, por rol të rëndësishëm ka dhe vullneti politik pasi përfshihet ministria e drejtësisë apo dhe konsullatat.
“Në momentin që dihet është pak më e thjeshtë sepse prokurori i ekzekutimit do t’i dërgojë Prokurisë së Përgjithshme kërkesën për ekstradim”.
Pak ditë më parë prokuroria e posaçme dërgoi në kuvend kërkesën për heqjen e mandatit të deputetit Arben Ahmetaj dhe lejen për arrestimin e tij dhe kontrollin e banesës. SPAK e akuzon ish-ministrin e Ekonomisë për deklarim të rremë të pasurisë, korrupsionit si dhe pastrim parash. Ndonëse pa imunitet për të njëjtën dosje në kërkim ndërkombëtar u shpallën dhe pronarët e kompanive fituese të tenderave të inceneratorëve, Stela Gugallja, Mirel Mertiri dhe Klodian Zoto, vendndodhja e të cilëve nuk dihet. /Telegrafi/