Një 50 vjeçar i kërkuar nga drejtësia spanjolle është arrestuar sot në Vlorë. Burime zyrtare të policisë thanë se në kuadër të operacionit, “Escape” kanë vënë në pranga 50-vjecari Leart Bulla.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Madrid, pasi Gjykata Qendrore e Instruksionit në Spanjë, me vendimin e datës 14.02.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Pjesëmarrja në grup kriminal me qëllim trafikimin dhe kultivimin e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”, parashikuar nga legjislacioni penal spanjoll.
Njoftimi i plotë:
Finalizohet, në bashkëpunim me Interpol Tirana, faza e tretë e operacionit policor të koduar “Escape”.
Kapet dhe arrestohet përkohësisht, me qëllim ekstradimin, një tjetër pjesëtar i grupit kriminal me aktivitet në fushën e narkotikëve, në Spanjë.
Shkon në 3 numri i shtetasve në kërkim ndërkombëtar (pjesëtarë të të njëjtit grup kriminal), të kapur në Vlorë.
Seksioni për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, të DVP Vlorë, bazuar në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, për vendndodhjen e një tjetër shtetasi të kërkuar ndërkombëtarisht si pjesëtar i një grupi kriminal me aktivitet kultivimin e bimëve narkotike të llojit marijuanë, në Spanjë, kanë organizuar dhe finalizuar, në bashkëpunim me Interpol Tirana, fazën e tretë të operacionit policor të koduar “Escape”.
Në kuadër të këtij operacioni, u kap në Rrugën Transballkanike dhe u arrestua përkohësisht, shtetasi:
-L. B., 50 vjeç, banues në Vlorë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Madrid, pasi Gjykata Qendrore e Instruksionit në Spanjë, me vendimin e datës 14.02.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Pjesëmarrja në grup kriminal me qëllim trafikimin dhe kultivimin e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”, parashikuar nga legjislacioni penal spanjoll.
Shtetasi L. B., së bashku me shtetasit U. S. dhe Xh. H., të arrestuar më parë nga Policia, në Vlorë, akuzohen si pjesëtarë të të njëjtit grup kriminal në Spanjë, që merret me kultivimin e marijuanës. Shtetasi L. B. dyshohet se është përgjegjës për blerjen, transportimin dhe furnizimin me pajisjet elektrike që përdoreshin për kultivimin e plantacioneve. /Telegrafi/