Telegrafi

Në kërkim ndërkombëtar për prodhim dhe shitje të narkotikëve, arrestohet serbi në Morinë

Polica e Shqipërisë ka njoftuar sot arrestimin e një shtetasi serb në Pikën Kufitare të Morinës i cili rezultonte në kërkim ndërkombëtar.

Sipas policisë, 49-vjeçari, banues në Ferizaj, ka rezultuar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Beogradi, Serbi, pasi Gjykata e Lartë e Beogradit, e ka dënuar me 5 vjet e 6 muaj burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, parashikuar nga legjislacioni penal i Serbisë.

Arrestimi është bërë me qëllim ekstradimin e 49-vjeçarit drejt Serbisë.

“Në Pikën e Kalimit Kufitar, Morinë, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, shërbimet e Policisë, si rezultat i kontrolleve me përzgjedhje dhe i shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, kanë ndaluar shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar: Dejan Stanojevic, 49 vjeç, banues në Ferizaj”, thuhet në njoftimin e policisë. /Telegrafi/

Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet serbe, vijon procedurat për esktradimin e këtij shtetasi. /Telegrafi/