Sa herë që lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-Un, shfaqet në publik, kryesisht në ngjarje të rëndësishme dhe samite nëpër botë, bota pushtohet nga videot e truprojave të tij duke vrapuar pas veturës së shefit të tyre.
Ata janë bërë hit gjatë vitit të kaluar në Singapor, kur Kim u takua me presidentin amerikan Donald Trump, e prej atëherë janë parë edhe në disa raste, transmeton Telegrafi.
Në librin e saj të botuar “Fat i shokut Kim Jong-Un”, korrespondentja e Washington Post, Anna Fillfield, zbulon se si “Kim ishte frymëzuar për truprojat nga aktori Clin Eastwood”.
“Si fëmijë e ka shikuar filmin (In the Line of Fire), ku rolin e agjentit të Shërbimit Sekret amerikan e luan Clint Eastwood, që ruante presidentin John F. Kennedy që është vrarë në vitin 1963. E roli i Eastwood dhe agjentëve tjerë që vrapojnë pas veturës së presidentit, e ka frymëzuar liderin suprem”, ka shkruar autorja në libër.
Sipas fjalëve të Li Jong-Guk, truproje e të ndjerit Kim Jong-Il, babait të liderit aktual, “është jashtëzakonisht e vështirë të jesh truproje e liderit verikorean”.
Kandidatët përzgjidhen nga njësitë e ndryshme të ushtrisë dhe duhet të kalojnë një sërë testesh, kurse vlerësohen edhe sipas shëndetit, pamjes, karakterit dhe historisë familjare.
“Duhet të kenë referenca të përkryera politike dhe të vijnë nga familjet më të mira”, thuhet ndër tjera në librin e korrenspondente së Washington Post. Gjithashtu duhet të kenë gjatësinë e ngjashme me atë të Kimit.
Ata duhet të jenë qitës të mrekullueshëm, të kenë aftësi luftarake në taek-wondo, të hedhin thikat në mënyrën më të mirë, të jenë notues të shkëlqyeshëm e çfarë është më e rëndësishme të jenë besnikë.
Por, edhe pse janë të armatosur, truprojat kryesisht bazohen në aftësitë mbrojtëse e jo në metoda vdekjeprurëse në rast se vjen deri te ndonjë konfrontim me sulmuesit. E për të qenë sa më i sigurt lideri i verikorean, angazhohen persona të veçantë që shijojnë ushqimin e liderit para se t’i servohet në tavolinë. /Telegrafi/