Ndonëse javën që po hyjmë Kuvendi i Kosovës do të mbajë dy seanca, ende nuk dihet se kur mund të mbahet seanca në të cilën do të shqyrtohet buxheti për vitin 2015.
Adem Grabovci nga PDKja thotë se do ta shqyrtojnë mundësinë për mbajtjen e një seance tjetër në fund të javës.
“Në seancën tjetër, pikë e rendit të ditës do të jetë aprovimi i buxhetit për vitin 2015”, ka thënë Grabovci.
Edhe partitë opozitare shtrojnë nevojën për shqyrtimin sa më të shpejtë të buxhetit nga ana e Kuvendit të Kosovës. Por, opozita është skeptike se buxheti do të shkojë shpejt në Kuvend.
Donika Kadaj Bujupi nga AAK thotë: “Fatkeqësisht në asnjërën prej dy seancave te radhës nuk do trajtohet buxheti. Dhe, siç po shihet, në interes ka qenë më tepër akomodimi i interesave të dy partnerëve të koalicionit sesa akomodimi i nevojave të qytetarëve dhe sjellja e projektbuxhetit ne seancën e parë ose të dytën “.
Pas marrëveshjes ndërmjet PDKsë dhe LDKsë për koalicion qeverisës dhe konstituimit të institucioneve, është thënë që projektbuxheti për vitin e ardhshëm do të jetë ndër prioritetet kryesore, krahas miratimit të disa projektligjeve tjera me rëndësi.