Telegrafi

Në filialin e një banke të Serbisë në Mitrovicën e Veriut konfiskohen dinarë serbë, euro dhe franga zvicerane

Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës ka vazhduar me aksione ndaj institucioneve ilegale financiare në veri të vendit, duke konfiskuar një sasi të konsiderueshme dinarësh serbë, euro dhe franga zvicerane në një filial të “Nardodna Banka” në Mitrovicën e Veriut.

Në njoftimin e policisë thuhet se në vazhdën e veprimeve hetimore në lidhje me rastin e titulluar ‘Dinari serb’ sot më datë 29.05.2024 është realizuar kontrolli i filialit të bankës së ashtuquajtur ‘Nardodna Banka’ në rrugën ‘Knjaz Millosh’ në Mitrovicë Veri, me ç’ rast është kontrolluar një kasafortë e cila në kohën e kryerjes së kontrollit me datë 20.05.2024 nuk ishte arritur të hapej në mungesë të personit përgjegjës i cili kishte çelësat.

“Hetuesit policor kanë arrit që me datë 29.05.2024 të identifikojnë menaxherin e pikës, e cila është kontaktuar dhe ka sjellë çelësat e kasafortës në prezencën e së cilës është hapur dhe janë sekuestruar mjetet monetare”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.

Sipas policisë, janë konfiskuar 152,290.00 dinarë serbë,  4,580 euro dhe 940 franga zvicerane.

“Pas përfundimit të kontrollit menaxherja e pikës është intervistuar në cilësinë e të dyshuarës në prezencën e avokatit mbrojtës, përderisa procesi i kontrollit është zhvilluar pa asnjë incident”.

Policia thotë se hetime të tjera profesionale lidhur me rastin janë në proces dhe të gjitha vendimet ligjore në vazhdim do të ndërmerren në koordinim me organet e drejtësisë. /Telegrafi/