Një situatë e pazakontë ka ndodhur me votat e diasporës për zgjedhjet parlamentare të Kosovës, të cilat u mbajtën më 9 shkurt 2025.
Disa nga fletëvotimet që kanë mbërritur nga votuesit jashtë vendit rezultojnë të jenë të pavlefshme, pasi i përkasin zgjedhjeve të kaluara.
Pamje dhe foto të këtyre fletëvotimeve janë shpërndarë në rrjete sociale, duke ngritur shqetësime në lidhje me procesin e votimit nga diaspora dhe administrimin e tij nga institucionet përgjegjëse.
Nuk dihet ende nëse bëhet fjalë për një gabim teknik, një problem me shpërndarjen e materialeve zgjedhore apo një keqkuptim nga vetë votuesit.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2021, mbi 56 mijë vota të diasporës luajtën një rol të rëndësishëm në përcaktimin e rezultateve dhe formimin e qeverisë.
Ndërkaq, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi me postë jashtë Kosovës.
Deri të dielën, më 2 mars, në orën 16:00, janë numëruar 89 nga gjithsej 187 kuti të votimit (47.34%) që i përkasin votuesve nga komuna të ndryshme.
Sipas rezultateve të deritanishme, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) kryeson me 51.34% të votave të numëruara deri më tani, e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 29.74%, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 8.12% dhe AAK – Nisma Socialdemokrate, Konservatorët, Intelektualët me 4.15%.
Lidhur me fletëvotimet e 2021-ës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ende nuk ka dalë me një deklaratë.
Telegrafi ka provuar të komunikojë me KQZ-në për të marrë më shumë detaje lidhur me këto fletëvotime, por deri në publikimin e lajmit, nuk ka mundur të marrë përgjigje.