Site icon Telegrafi

Në bejsboll nënshkruhet kontrata më e madhe në histori të sportit, Shohei Ohtani tejkalon yje si Leo Messi e LeBron James

Sensacioni i bejsbollit Shohei Ohtani i është bashkuar Los Angeles Dodgers në marrëveshjen më të madhe në historinë e sportit.

Ai ka nënshkruar një kontratë 10-vjeçare prej 700 milionë dollarësh (650 milionë euro), që është më e madhja ndonjëherë në  MLB dhe e bën Ohtanin një nga atletët me fitimet më të larta në botë.

Lojtari japonez, i cili shihet gjerësisht si ndër më të mirët që ka luajtur ndonjëherë këtë lojë, ishte objektivi më i lakmuar në bejsbolli.

Lëvizja te Dodgers vjen pas javësh spekulimesh për të ardhmen e tij.

Një luftë e madhe ofertash për nënshkrimin e tij filloi kur Ohtani vendosi të largohej nga Los Angeles Angels si lojtar i lirë pasi kontrata e tij skadoi pas një periudhe gjashtëvjeçare.

Vlera e raportuar e kontratës renditet krahas – apo edhe tejkalon – llojin e shumave që kanë marr megayjet, si futbollisti Lionel Messi apo basketbollisti LeBron James.

Lexo po ashtu LeBron James është vetëm sportisti i dytë në histori që bëhet miliarder – ai barazohet me Jordan, por aktualisht paguhet më pak se Messi

Tifozët dhe ekspertët e kanë vlerësuar 29-vjeçarin për transformimin e mënyrës sesi luhet sporti në epokën moderne, dhe ai tashmë është në rrugën e duhur për t’u konsideruar si një nga më të mëdhenjtë e të gjitha kohërave.

Ai fitoi çmimin MVP në vitin 2021 dhe përsëri muajin e kaluar, pavarësisht se sezoni i tij 2023 u ndërpre nga lëndimi. /Telegrafi/

Exit mobile version