Site icon Telegrafi

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës hapet “17 | 02 Lounge”

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, Limak Kosovo, mbajti ceremoninë e hapjes së sallës së biznesit “17 | 02 Lounge”.

Salla e re e biznesit u hap për herë të parë në terminalin e ri, në një ambient të bukur dhe në një atmosferë të rehatshme – në një pjesë të veçantë të Aeroportit.

Emri “17 | 02” është zgjedhur nga Limak Kosovo, si simbol për të nderuar një prej ditëve më me rëndësi të kombit tonë – ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Anëtari i bordit dhe drejtori menaxhues i Limak Kosovo, Haldun Firat Kokturk, u shpreh i kënaqur me realizimin e ceremonisë së hapjes së “17 | 02 Lounge”. Ai uroi të gjithë të ftuarve mirëseardhje dhe premtoi shërbim unik për të gjithë anëtarët e “17 | 02 Lounge”.

Ekipi i Aeroportit, së bashku me ekipin kreativ, u sigurua që të gjithë të ftuarit të jenë rehat dhe me disponim të mirë gjatë dy orëve të eventit të hapjes. Kështu, rreth 100 të ftuar u përcollën edhe me dhurata në dalje.

“17 | 02 Lounge” është vlerë shtesë e kompleksit tashmë të pasur të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës. Është në dispozicion për të gjithë udhëtarët e Aeroportit, si mundësi për të bërë biznes dhe për ta kaluar kohën e pritjes së fluturimit të tyre, në ambient të bukur, të qetë dhe të rehatshëm. /Telegrafi/

Exit mobile version