Thatësira e viteve 2013-2014, edhe pse shkaktoi shumë probleme me ujë në Kosovë, po cilësohet si mesatare.
Por, nëse në vitet e ardhshme ndodhin thatësira të tilla, Kosova nuk do të mund t`i përballojë ato. Banka Botërore ka bërë një raport ku vlerësohet se Kosova gjatë 20 vjetët e ardhshme do të ballafaqohet me pakësim të sasisë së ujit. Dhe zgjidhje e vetme për të pasur ujë mjaftueshëm është krijimi i resurseve të reja akumuluese.
Sipas masterplanit të ujërave, të hartuar në vitin 1983, në Kosovë duhet të ndërtohen edhe 17 akumulime të reja të ujit për të përballuar nevojat e qytetarëve, të cilat janë çelës kyç për zhvillimin ekonomik, energjetik, e industrial të vendit, raporton televizioni publik.
Vlerësohet se Kosova ka vetëm 16% të mesatares rajonale të burimeve të ripërtërishme të ujit. Në 20 vitet e ardhshme pritet që të gjitha luginat e ujërave në Kosovë (Drini i Bardhë, Ibri, Morava e Binçës dhe Lepenci) të ballafaqohen me zvogëlim të sasisë së ujit në raport me kërkesën. Këto janë disa nga gjetjet e raportit të ri të Bankës Botërore për Kosovë.
Baton Begolli, këshilltar politik i ujërave në zyrën e Kryeministrit, një ndër inxhinierët e masterplanit të ujërave, plan i cili mbetet si zgjidhja e vetme për problemin e ujërave që pritet të ballafaqohet Kosova në vitet e ardhshme, thotë se këtë projekt madhor, e kanë ngulfatur degradimet e lumenjve në Kosovë.
Avdi Gjonbalaj, ekspert i ujërave në Kosovë, që punoi 20 vjet në hartimin e strategjisë së zhvillimit të resurseve ujore, thotë se zonat e akumulimit, si resurs kombëtar, duhet të vihen në mbrojtje që akumulimet të mos humben.
Ndërkohë, nga Zyra e kryeministrit bëhet e ditur se janë duke e pritur raportin e dytë të Hidrosistemit “Iber-Lepenc” që parashihen të ndërtohen diga akumuluese në Nerodime, Firajë ose Shtime.