Telegrafi

Ndryshon sërish moti në Kosovë, të enjten pritet të ketë shi dhe borë

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, ka njoftuar se gjatë ditëve në vazhdim do të ketë rënie të temperaturave si dhe në rajonin e Dukagjinit parashihet të ketë sërish erë.

Në njoftimin e bërë nga IHMK thuhet se të mërkurën moti do të jetë i vranët dhe me intervale me diell, vranësirat gjatë ditës do të jenë stabile, ndërsa kah mesi i natës dhe gjatë ditës së enjte parashihen të shoqërohen me reshje shiu dhe bore, ndërsa në viset malore parashihet të bie borë.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -2 deri 3 gradë celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 4-11 gradë celsius.

Po ashtu, do të fryjë erë e lehtë deri mesatare ditën e mërkurë, ndërsa ditën e enjte shpejtësia e erës do të rritet deri 11m/s në rrafsh të Kosovës kurse pjesa veriore e Dukagjinit shpejtësinë maksimale të erës parashihet ta arrijë mbi 20m/s.

Sa i përket kushteve biometeorologjike, ato do të jenë relativisht stabile, për shkak të prezencës aktive të elementeve dhe dukurive meteorologjike./Telegrafi/