Site icon Telegrafi

Ndryshimet në formacion, Allegri: Mund të luaj vetëm me 11 lojtarë

Massimiliano Allegri i ka sqaruar ndryshimet që i bëri në ndeshjen ndërmjet Juventusit dhe Lazios, të cilën Bianconerët e fituan me rezultat 2-0.

Në ndeshjen, në të cilën shënuan Miralem Pjanic dhe Mario Mandzukic, trajneri befasoi duke i lënë në bankën rezervë Paulo Dybalan, Douglas Costan dhe Juan Cuadradon.

Juventus (Foto: Getty Images)

“Ishte një ndeshje ndryshe nga ajo ndaj Chievos, por mbi të gjitha, në fillim ishim paksa të nxituar. Rreziku i sotëm (e shtunë) ishte të përfshiheshim nga entuziazmi për lojën e parë të Cristiano Ronaldos në stadium, prandaj u desh të kishim më shumë durim”.

“Pa Dybalan, bëhet i vështirë pasimi ndërmjet zonave, por pas një kohe u mbrojtëm mirë dhe luajtëm shumë më mirë në gjysmën e dytë”.

“Jam i kënaqur me paraqitjen, ishte ndeshja e parë kokë më kokë me një prej klubeve të mëdha dhe shkoi mirë”.

Lexo po ashtu Lajmet për Juventusin

“Edhe një herë, zëvendësimet ishin të rëndësishme, ashtu që Douglas Costa, Emre Can dhe Rodrigo Bentancur ndikuan me inkuadrimin e tyre nga banka rezervë”.

“Është nga një ndeshje në javë në tri xhirot e para, por nga 15 shtatori e tutje do të ketë edhe ndeshje në mesjave në Ligën e Kampionëve dhe natyrisht se do të na duhen të gjithë”.

Festa e lojtarëve të Juves (Getty Images)

“Kam një skuadër shumë të fortë dhe më duhet t’i vlerësoj të gjithë… Dybala i lidh zonat, Bernardeschi mund ta bëjë po ashtu, por ata që kanë qenë në Kampionatin Botëror kanë ardhur vonë në stërvitjet parasezonale dhe jo të gjithë e gjejnë nivelin e kondicionit në të njëjtën kohë. Mandzukic dhe Matuidi kanë lloj tjetër motori në krahasim me të tjerët”.

“E rëndësishme është se i kam zgjedhur 11 lojtarët me teknikë, baraspeshë dhe forcë fizike. Kjo nuk do të thotë se ata në bankë janë të padobishëm, por nuk mund të luaj me më shumë se 11 në të njëjtën kohë”, ka thënë Allegri për Sky Sport Italia. /Telegrafi/

Exit mobile version