Site icon Telegrafi

Ndryshimet kushtetuese në Maqedoni varen nga rezultati i zgjedhjeve

Mbështetësit e OBRM-PDUKM-së mbajtën pano kundër ndryshimeve kushtetuese gjatë fjalës së Ursula von Der Leyen, presidentes së Komisionit Evropian, në Parlamentin maqedonas më 14 korrik 2022, shkruajnë nga Radio Evropa e Lirë.

Rezultati i zgjedhjeve parlamentare, më 8 maj, pritet të vendosë dinamikën e ndryshimeve kushtetuese dhe rrjedhimisht integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut. Analistët politikë në Shkup thonë se ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e kushtetutës janë kusht për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE.

Ndryshimet kushtetuese duhet të miratohen në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut me dy të tretat e votave, ose me votat e 80 nga 120 deputetët.

OBRM-PDUKM-ja, drejtuar nga Hristijan Mickoski, ka qëndrim të fortë kundër ndryshimeve kushtetuese, duke argumentuar se ato janë hartuar sipas “diktatit bullgar” dhe dëmtojnë interesat kombëtare maqedonase. Partia thotë se nuk është kundër përfshirjes së bullgarëve në Kushtetutë, por kërkon garanci nga Sofja për mosparaqitjen e kërkesave të reja kundër Maqedonisë së Veriut.

Analizat politike sugjerojnë se qëndrimi i OBRM-PDUKM-së mund të ndryshojë pas zgjedhjeve parlamentare, varësisht nga rezultati i tyre. Ndryshimi i qeverisë mund të ndikojë në fleksibilitetin e OBRM-PDUKM-së në lidhje me ndryshimet kushtetuese.

OBRM-PDUKM-ja ka thënë se do të angazhohet për një marrëveshje të re me BE-në, por analistët vlerësojnë se një ndryshim i kornizës së negociatave është i pamundur. Megjithatë, ka përpjekje për të siguruar që ndryshimet kushtetuese të hyjnë në fuqi pas ratifikimit të marrëveshjes për të reduktuar ndikimin e mundshëm të Bullgarisë.

Në lidhje me subjektet politike shqiptare, analistët thonë se situata ndryshon pasi tani ka dy blloqe të fuqishme, kështu që kushtëzimet ndaj OBRM-PDUKM-së mund të jenë më transparente dhe të kushtëzuara.

Maqedonia e Veriut ende nuk ka nisur bisedimet me BE-në për kapitujt për shkak të mosmarrëveshjeve me Bullgarinë për përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutë si popull shtetformues.

Exit mobile version